Shqipëria ka qenë sërish në krye të një tryeze të rëndësishme në Këshillin e Sigurimit. Ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani, drejtoi takimin për Armeninë dhe Azerbajxhanin, ku në fokus ishin përshkallëzimet e fundit ushtarake.
“Raportimet për përplasje ushtarake, me pasojë humbje në jetë njerëzish janë shqetësuese. Kemi ndjekur me interes zhvillimet e fundit në terren. Argumentet e paraqitura nga palët ndryshojnë shumë. Këto konfirmojnë brishtësinë ekstreme të situatës dhe mosbesimin e madh mes palëve”.
Hasani bëri thirrje që në fokus të jetë mbrojtja e njerëzve dhe zonave të banuara.
“Përsërisim thirrjen tonë që të mbahet prioritet mbrojtja e civilëve dhe ruajtja e zonave të banuara. Përshëndesim arritjen e marrëveshjes së armëpushimit për të ndaluar veprimet ushtarake. Negociatat për një traktat paqeje duhet të vijojnë”.
Më herët, Shqipëria drejtoi në Këshillin e Sigurimit edhe debatin e nivelit të lartë për Ukrainën./Klan News