Policia malazeze ka ngritur kallëzim penal kundër 6 personave, kryesisht shtetas të Serbisë, të dyshuar për hapjen e tunelit nëntokësor që çon në depon e Gjykatës së Lartë në Podogricë, deklaroi ministri i Brendshëm Filip Axhiq, duke shtuar se ka një lidhje mes të dyshuarve dhe një personi nga Gjykata e Lartë, raporton Anadolu.
Adxhiç në konferencën për media tha se kishin zbardhur rastin e gërmimit të tunelit dhe identifikuan personat që ishin të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Sipas tij, shumica e tyre janë nga Serbia dhe u kanë “ndihmuar persona të caktuar nga Mali i Zi”.
“Nga informacionet që kemi marrë mësohet se në këtë vepër penale kanë marrë pjesë Veljko Markoviq (32 vjeç), Milan Markoviq (53), Dejan Jovanoviq (30) dhe Vladimir Eriq (32), të cilët janë shtetas të Serbisë si dhe dy persona të paidentifikuar”, ka thënë Axhiq dhe ka treguar fotografitë e 4 të dyshuarve.
Ai shtoi se këta persona janë larguar nga Mali i Zi menjëherë pas kryerjes së krimit, gjë që ka pamundësuar arrestimin e tyre nga autoritetet malazeze.
“Ka një lidhje të caktuar të kësaj organizate me një person nga Gjykata e Lartë dhe me persona që janë aktualisht në Administratën për Ekzekutimin e Sanksioneve – UIKS dhe që janë të lidhur me një nga organizatat kriminale më të fuqishme në vend”, shtoi Axhiq.
Ai theksoi se në këtë vepër penale kanë marrë pjesë të paktën 5 persona të tjerë, të cilët kanë qenë logjistikë ose kanë ofruar lloje të tjera mbështetjeje. Axhiq ka treguar edhe një fotografi të një gruaje e cila është e lidhur me rastin, duke thënë se ajo është shtetase e Malit të Zi dhe se nuk kanë informacion se ajo është larguar nga vendi.
Ministri malazez tha se autoritetet kanë një pistë që i çon tek autorët. Axhiq tha se veprat janë cilësuar si bashkim kriminal, vjedhje e rëndë dhe pengim i provave të kryera në dëm të Gjykatës së Lartë.
“Kualifikimi i këtyre veprave është shumë i rëndësishëm duke qenë se shumica e personave nuk janë nga territori i Malit të Zi dhe nuk ndodhen në vendin tonë, në mënyrë që në të ardhmen, në aktivitete me shërbimet partnere, këta persona të arrestohen dhe të ekstradohen në Mal të Zi në mënyrë që të arrijmë deri te ‘koka’ e kësaj vepre të rëndë kriminale”, theksoi Axhiq.
Ministri tha se nga veprimet e mëtejshme duhet të përcaktohet nëse personi i Gjykatës së Lartë ka marrë pjesë në një organizatë kriminale apo vetëm ka lidhje me ta. “Duke qenë se tashmë kemi një lidhje të caktuar mes personave të Gjykatës së Lartë, organizatës kriminale që ka gërmuar dhe atyre që qëndrojnë në UIKS, jemi një hap më afër zbulimit të motivit të vërtetë të gërmimit të tunelit dhe hyrjes në depo”, shtoi Axhiç.
Ai deklaroi se shumica e të dyshuarve kanë të kaluar kriminale dhe janë në dosjet kriminale të vendeve të tjera dhe se në ditën e kryerjes së krimit janë larguar nga Mali i Zi përmes kalimeve legale. Axhiq tha se zyrtarët e Drejtorisë së Policisë dhe Prokurorisë Themelore të Shtetit në Podgoricë kanë bërë të pamundurën dhe se kanë punuar ditë e natë për të ndriçuar grabitjen e depos së Gjykatës së Lartë.
“Ne kemi treguar se Mali i Zi, kur funksionon së bashku dhe kur ka një sinergji ndërmjet institucioneve për të punuar së bashku, mund të zbulojë akte të tilla kriminale komplekse që janë planifikuar prej muajsh ose më gjatë dhe në të cilat janë investuar qindra mijëra euro”, tha ai. Ministri duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve tha se nuk do të kërkojë dorëheqjen e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Boris Saviq.
“Kam informacione se Saviq ka përdorur çelësat e depos dhe se është dashur të njoftohet me të gjithë ata që kanë qëndruar në depo ndërsa hetimet e mëtejshme do të tregojnë nëse ka ndonjë lloj lidhjeje me të. Nuk kemi informacione se Saviq është i lidhur me këto aktivitete kriminale”, tha Axhiç.
I pyetur nëse zbulimi i tunelit i ndaloi anëtarët e grupit kriminal të vazhdonin aktivitetet e tyre dhe nëse ata kishin informacione dhe u larguan nga Mali i Zi, apo nëse e kishin përfunduar punën e tyre kriminale, Axhiç tha se supozon se nuk do të ketë përgjigje për këto pyetje deri në fund të procesit.
Axhiç beson se zona ku ndodhet Gjykata e Lartë duhet të ishte nën “syrin vigjilent” të njerëzve të përfshirë në aktivitetet e inteligjencës. Prokurori Marko Mugosha tha se ngritja e kallëzimeve nuk ndalet, por vetëm sa “vlon” puna për rastin në drejtim të zbulimit të autorëve të panjohur.