Sektori i arsimit në Maqedoninë e Veriut është ende i strukturuar kryesisht sipas linjave të sistemit politik konsociativ të vendit, bazuar në Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001, e cila vendosi kornizën kushtetuese për ndarjen e pushtetit ndërmjet maqedonasve etnikë dhe shqiptarëve etnikë. Sigurisht , kjo i jep secilit grup mundësinë e autonomisë arsimore dhe shkollimit në gjuhën amtare për fëmijët e tyre. Megjithatë, kjo rezulton gjithashtu në një ndarje të gjerë de-fakto të fëmijëve nga këto grupe etnike në shkolla, thuhet në raportin e Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), në fushn e arsimit të integruar, raporton Portalb.mk.
“Tashmë në dy raportet paraprake ECRI kishte theksuar problemin e ndarjeve etnike në sistemin arsimor. Në vitin 2016, ECRI rekomandoi që autoritetet të ringjallin strategjinë për Arsimin e Integruar duke zhvilluar një Plan Veprimi përkatës, së bashku me të gjithë aktorët përkatës, dhe të sigurojnë fonde adekuate për zbatimin e tij. Kjo nuk ndodhi”, thuhet në raport.
Në vend të kësaj, shtohet më tej, çështja e arsimit të integruar është bërë pjesë e Strategjisë së përgjithshme të Arsimit të vendit për 2018-2025 dhe një fushë strategjike në Strategjinë Kombëtare ndërsektoriale për zhvillimin e konceptit të “Një shoqëri dhe ndërkulturalizëm”. Megjithatë, u duk qartë gjatë vizitës së ECRI në Maqedoninë e Veriut se nuk ishte bërë asnjë përparim thelbësor.
Në Strategjinë e arsimit për periudhën 2018-2025, thuhet se në vitin 2012 filloi realizimi i projektit pesëvjeçar për integrimin ndëretnik në arsim. Qëllimi i kësaj iniciative ishte që të krijohet në vendin tonë një klimë të përshtatshme shoqërore për mbështetje të integrimit ndëretnik jo vetëm në shkolla, por edhe në shoqëri në përgjithësi. Përmes partneriteteve me institucionet kryesore arsimore dhe organizatat joqeveritare lokale, aktivitetet u përqendruan tek nxënësit, prindërit, mësuesit, drejtuesit, administrata dhe bordet e shkollave në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme.
Megjithatë, duket se ky projekt, edhe pas 11 vitesh nuk dha asnjë rezultat.
Si përparësi më Strategji është përmendur “Rritja e përfshirjes së nxënësve dhe përmirësimi i gjithëpërfshirjes e integrimit ndëretnik në arsimin fillor”.
“Me qëllim të zvogëlimit të paragjykimeve etnike dhe të përmirësohet njohja e kulturës së nxënësve nga grupet e ndryshme etnike, disa nga shkollat zbatojnë aktivitete të përbashkëta me nxënës që ndjekin mësimin në gjuhë të ndryshme të mësimdhënies. Për këtë qëllim janë themeluar ekipe për integrimin e shkollave, për të koordinuar dhe organizuar aktivitetet e përbashkëta të nxënësve dhe bashkëpunimin e prindërve”, thuhet në Strategjinë arsimore.
Gjithashtu, përmendet se ekzistojnë barriera që pengojnë integrimin e nxënësve të cilët mësojnë në gjuhë të ndryshme nga gjuha amtare dhe janë pikërisht ato që i përmend edhe ECDI, barriera që në faktë i kanë krijuar vetë institucionet arsimore edhe atë:
“Nxënësit të cilët mësojnë në gjuhë tjetër në shkolla ku mësimi mbahet në disa gjuhë, zakonisht janë në turne të ndara, godina, kate, madje edhe administratë shkollore të ndarë. Njëkohësisht, motivimi i shkollave dhe mësimdhënësve për sigurimin e arsimit integrimit interetnik dhe arsimit gjithpërfshirës është shumë më i ulët, për shkak të mungesës së motivimit dhe përkrahjes financiare”, thuhet në Strategjinë e cila duhet të gjejë zgjidhje për këtë çështje, po që në faktë, në vend të zgjidhjes ka ankesa.
Në raportin e Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës më tej thuhet se ndarjet etnike vazhdojnë edhe në shkollat shumëgjuhëshe: në vitin shkollor 2021/2022, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, 237 shkolla fillore ofronin arsim në më shumë se një gjuhë (zakonisht maqedonisht dhe shqip). Prej tyre, 137 shkolla (afërsisht 65%) mbanin mësime për nxënës nga rryma të ndryshme gjuhësore në ndërtesa të ndara fizikisht dhe vetëm 100 institucione (afërsisht 35%) organizuan mësimet për të gjithë fëmijët, pavarësisht nga gjuha në të njëjtën ndërtesë. Për më tepër, më pak se gjysma (42%) e fëmijëve ndiqnin mësimet në të njëjtën kohë, ndërsa 58% e nxënësve ishin të organizuar në një sistem me dy turne.
“Kjo ndarje hapësinore dhe e bazuar në kohë e fëmijëve që u përkasin grupeve të ndryshme gjuhësore dhe etnike redukton rëndë mundësitë e ndërveprimit dhe përvojave e aktiviteteve të përbashkëta dhe interesat e përbashkëta që janë elementë të rëndësishëm për formimin e marrëdhënieve pozitive reciproke dhe të një identiteti të përbashkët mes brezit të ri në vend. Mungesa e marrëdhënieve të tilla dhe rritja e strukturave paralele shoqërore nuk është e favorshme për ndërtimin e një shoqërie kombëtare të integruar dhe gjithëpërfshirëse dhe madje mbart rrezikun e rritjes së pakënaqësisë dhe ndoshta urrejtjes”, thuhet në raportin e ECRI-së.
Në këtë drejtim, thotë ECRI, skema e granteve për aktivitetet shkollore duket e pamjaftueshme për të kapërcyer hendekun ekzistues në kontakt midis fëmijëve të dy grupeve kryesore etnike/gjuhësore të Maqedonisë së Veriut. Prandaj, është jetike të ecet drejt dhënies fund të ndarjes së gjerë de-facto në shkolla.
“ECRI rekomandon që autoritetet të ndërmarrin hapa për të hequr gradualisht çdo ndarje de-fakto të fëmijëve që i përkasin grupeve kryesore etnike/gjuhësore të vendit (maqedonas dhe shqiptarë) në shkollat shumëgjuhëshe. Në veçanti, autoritetet duhet të sigurojnë që të gjithë fëmijët të mësohen në të njëjtat ndërtesa dhe që të shmangen sistemet e ndërrimit në mënyrë që të sigurohet sa më shumë mundësi për ndërveprim”, thuhet në rekomandim.
Këto reforma i kërkohen vendit për integrimin në Bashkimin Evropian.
Maqedonia e Veriut në fushën e arsimit, u kritikua edhe nga UNICEF-i, ku thuhet se, pavarësisht përmirësimeve të vogla në suksesin e nxënësve në vitet e fundit, prapëseprapë më shumë se gjysma e të gjithë pesëmbëdhjetëvjeçarëve në vend nuk arrijnë t’i përmbushin nivelet bazë të aftësisë për lexim dhe matematikë.
Për mungesën e arsimit cilësor Maqedonia pati kritika edhe në raportin e KE-së. Në të u kërkua që fëmijët nga komunitetet rome të rrisin regjistrimin në parashkollore.
KE-ja nga Maqedonia e Veriut në raportin e fundit kërkoi që:
të miratojë ligjin për arsim dhe trajnim profesional (Vocational Education and Training – VET) dhe të themelojë dhe funksionalizojë qendrat rajonale të VET-it;
të finalizojë dhe miratojë Ligjin për arsimin e të rriturve;
të përmirësojë qasjen në arsimin cilësor për të gjithë, në veçanti për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komunitetet rome të rrisin regjistrimin në parashkollore dhe të vazhdojë përmirësimi dhe mbështetja për trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve.