BotaLajme

Ndërron jetë ish-presidenti italian Giorgio Napolitano

Në moshën 98-vjeçare, ka ndërruar jetë ish-presidenti italian Giorgio Napolitano, transmeton Anadolu.

Napolitano, shëndeti i të cilit ishte i rënduar për një kohë, ka vdekur në Spitalin Ndërkombëtar Salvator Mundi në Romë, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve ANSA, duke cituar burime.

I lindur më 29 qershor 1925 në Napoli, Napolitano shërbeu si presidenti i 11-të nga viti 2006 deri në 2015 dhe ishte kreu i parë i shtetit që u zgjodh për një mandat të dytë në 2013.

Ai ishte presidenti i parë ish-komunist i vendit dhe quhej Re Giorgio, ose Mbreti Giorgio, për shkak të pozitës së tij dominuese në politikën italiane.

“Shpreh dhimbje për vdekjen e ish-Presidentit të Italisë Giorgio Napolitano. Një burrë shteti i madh italian, me zemër të fortë evropiane”, shkroi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në “X”.

Ajo e vlerësoi atë si “spirancë stabiliteti” për Italinë në kohë të vështira dhe tha se Napolitano ishte thellësisht i bindur se një Evropë e bashkuar ishte në interes të italianëve.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell përshëndeti gjithashtu përpjekjet e Napolitanos në historinë e pasluftës të Italisë.

“Ai e vuri pasionin e tij politik në shërbim të institucioneve italiane dhe europiane me rigorozitet dhe kurajo. Do të na mungojë stimuli i tij, por na ka mbetur mësimi i tij, një fener për të gjithë reformistët”, shkroi ai në “X”, duke ndarë një fotografi.

Show More

Related Articles

Back to top button