Një tjetër manjat rus është gjetur i vdekur, i pesti deri më tani gjatë këtij viti. Bëhet fjalë për Yuri Voronov, CEO dhe themelues i kompanisë logjistike Astra Shipping, e lidhur me Gazprom. Voronov u gjet i vdekur në pishinën e shtëpisë së tij, pranë Shën Pjetërburgut, sipas mediave të huaja.
Sipas informacioneve, manjati 61-vjeçar rus është qëlluar me armë në kokë. Kamerat e sigurisë në shtëpinë e Voronov nuk zbuluan asnjë vizitor që hynte në shtëpi në orët para vdekjes së tij, as në orët pas saj.
Kështu, pronari i kompanisë Astra Shipping vdiq në rrethana misterioze pas fillimit të ofensivës ushtarake ruse në Ukrainë dhe ai nuk është i vetmi biznesmen rus me lidhje me kompaninë më të rëndësishme ruse të gazit që ka vdekur.
I pari që vdiq në janar ishte biznesmeni Leonid Shulman, i cili ishte drejtues i shërbimit të transportit Gazprom Invest. Aleksandër Tiukiakov, i cili ishte zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Qendrës së Llogarive të Veçanta të Gazprom, vdiq gjithashtu në fund të janarit.
Vasily Melnikov, pronar i kompanisë së furnizimit mjekësor MedStom, u gjet i vdekur në mars, në qytetin e Nizhny Novgorod. Një ngjarje e ngjashme ndodhi në prill me Vladislav Avayev, ish-zëvendës president i Gazprombank, i cili u gjet i vdekur së bashku me gruan dhe vajzën e tij në banesën e tij në Moskë.
Jashtë territorit rus, konkretisht në Lloret de Mar (Barcelona), kufoma e ish-menaxherit të kompanisë Novatek, Sergei Protoseniu, u gjet bashkë me gruan dhe vajzën e tij. /abcnews/