LajmeMaqedoniRajon

Kovaçevski dënon ngjarjet në veriun e Kosovës

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka reaguar për zhvillimet e djeshme në veriun e Kosovës, ku u vra një polic dhe dy të tjerë të plagosur si pasojë e një sulmi terrorist, që kishte vepruar përreth manastirit të Banjskës në afërsi të Zveçanit.

Kovaçevski ka thënë se dënon fuqishëm ngjarjet në veri të Kosovës, ndërsa i shpreh përkrahje të plotë KFOR-it për të gjitha aktivitetet e ardhshme të cilat janë në drejtim të garantimit të paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

“Me shqetësim të madh po përcjellim situatën në Kosovë dhe jemi në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë. I dënoj fuqishëm ngjarjet që ndodhën sot dhe shpreh mbështetjen time të plotë për KFOR-in për të gjitha aktivitetet e ardhshme që synojnë garantimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.

Për sa i përket situatës së sigurisë në vend, qytetarët mund të jenë të qetë – ajo është e qëndrueshme, pa asnjë tregues për shqetësime të mundshme. Të gjitha institucionet përgjegjëse për sigurinë po monitorojnë me vigjilencë situatën. Gjithashtu sipas informacioneve të shkëmbyera ndërmjet shërbimeve të inteligjencës së sigurisë në vend si dhe informacioneve të marra nga shërbimet e aleatëve tanë në aleancën e NATO-s, nuk ka indikacione që tregojnë për shkelje të sigurisë në Maqedoninë e Veriut.

Apeloj për një de-përshkallëzimin e ngjarjeve në Kosovë dhe për vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura në mënyrë paqësore dhe demokratike. Përshpejtimi i integrimeve euroatlantike në Ballkanin Perëndimor është vendimtar, është e vetmja mënyrë për të siguruar progres dhe stabilitet në rajon, si dhe reduktimin e ndikimit të palëve të treta destabilizuese. Rajoni duhet të ecë përpara, qytetarët meritojnë prosperitet, një të ardhme më të mirë dhe një standard më të mirë jetese”, ka shkruar Kovaçevski.

Show More

Related Articles

Back to top button