LajmeMaqedoni

Sot do të mbahet protestë e re për rastin “Onkologjia”

Sot në orën 18:00 do të mbahet protesta e re për rastin “Onkologjia”. Siç theksojnë organizatorët, protesta do të nisë para Qeverisë dhe do të vazhdojë para godinës së Ministrisë së Shëndetësisë, ku siç thonë ata do të kërkojnë përgjegjësi për të gjithë të përfshirët në skandalin me Klinikën e Onkologjisë, por edhe për zbardhjen e informacioneve për hetimin e tragjedisë në spitalin modular në Tetovë, përfshirë personat nga Ministria e Shëndetësisë si ministrat paraprak që ndikuan në mbulimin e rasteve, transmeton Portalb.mk.

“Ju ftojmë edhe një herë në protestë të hënën para Qeverisë, së bashku në një zë për të shprehur zemërimin dhe revoltën tonë ndaj gjithë krimit që zien prej vitesh në Klinikën e Onkologjisë, por edhe në të gjithë sistemin shëndetësor dhe politik. Duhet të ketë drejtësi për viktimat!”, thuhet në njoftim.

Protesta për rastet në fjalë, për herë të fundit u mbajtën më 4 shtator. “Vrasës” dhe “dorëheqje” ishin vetëm disa nga thirrjet e protestuesve në protestën nga Qeveria deri te Prokuroria e RMV-së.

Për pacientët e ndjerë të Onkologjisë u mbajt një minutë heshtje në drejtim të ndërtesës së Qeverisë disa protestues hodhën vezë, vezë u hodhën edhe në ndërtesën e Prokurorisë.

Më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Ky rast nxiti reagime të shumta.

Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, kështu ka thënë për këtë rast ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm.

Apel për zbardhjen sa më të shpejtë të rastit të manipulimit të barnave kërkoi edhe ushtruesja e detyrës Violeta Klisarovska, drejtore e Klinikës së Onkologjisë, e cili theksoi se si ekip organizativ ishin plotësisht në dispozicion të organeve hetimore.

Edhe Prokuroria bëri thirrje që të gjithë ata që kanë informacion në lidhje me këtë çështje t’i raportojnë organeve kompetente.

Presidenti i vendit Stevo Pendarovski, tha se ka ardhur koha që të t’i jepet fund kulturës së mosndëshkimit, pasi kjo situatë ka vënë në pikëpyetje cilësinë e trajtimit të pacientëve.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje e përshëndeti aksionin e MPB-së dhe të prokurorisë, megjithatë ai bëri thirrje që të mos bëhet sensacionalizëm dhe të mos sulmohen të gjithë mjekët dhe infermieret, për shkak të disave.

Reaguan edhe dy partitë më të mëdha maqedonase.

Nga LSDM kanë shprehur mbështetje për institucionet për zbardhjen e tërësishme të rastit, duke porositur se, askush nuk do të pasurohet në llogari në shëdetit.

Ndërkaq, nga VMRO – DPMNE-ja opozitare kanë akuzuar se, biznesi me barna në Onkologji është mundësuar vetëm me dijeninë e strukturave të lartë në klinikë dhe në pushtet.

Reagime pati edhe nga partitë shqiptare.

Lëvizja Besa kërkoi që përgjegjësit e këtyre akteve barbare e monstruoze të marrin dënimin maksimal me burg, ndërkaq nga ministri aktual i Shëndetësisë kërkuan të dëshmojë se nuk e ka prioritet pozitën, por qytetarin, këtë duke vendosur në shprehje aktin moral të dorëheqjes.

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkoi që institucionet kompetente, në veçanti prokuroria, urgjentisht dhe detajisht të hetojnë të gjitha pretendimet për keqpërdorime të rënda mbi jetën dhe shëndetin e pacientëve.

Nga Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari shkroi se për skandalin në Klinikën e onkologjisë, Aleanca për Shqiptarët ka alarmuar qysh në dhjetor të 2022. Por, askush nuk reagoi dhe u llogarit si një reagim koti.

Lëvizja Demokratike theksoi s në shtete normale për raste të këtilla si skandali i onkologjisë, dorëhiqen qeveritë. Sipas tyre, aksioni policor në Klinikën e Onkologjisë, sipas të gjithë treguesve, në sipërfaqe do të nxjerrë një skandal me përmasa tragjike

Alternativa bëri thirrje që ky rast të mos përfundojë nga Prokuroria Publike njësoj si cinizmi i saj me spitalin modular në Tetovë, ndërsa kërkon mbështetje dhe mbikëqyrje nga ndërkombëtarët që ta vëzhgojnë këtë lëndë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në një prononcim për emisionin “Click Plus” në Tv 21 e cilësoi rastin si “krim”.

Show More

Related Articles

Back to top button