Rusia ka kryer një sulm masiv ajror në jug të Ukrainës gjatë natës, duke goditur zonën e portit në qytetin e Odesës. Si pasojë e sulmit janë shkatërruar depo të mëdha të drithërave.
Forcat e mbrojtjes jugore të Ukrainës thanë se Rusia ka kryer sulme në Odesa me 19 dronë dhe dy raketa supersonike të llojit Onyx, si dhe ka lëshuar 12 raketa lundruese Kalibr.
Forcat ukrainase thanë se porti në Odesa ka pësuar “dëme të mëdha”, ndërkaq guvernatori rajonal, Oleh Kiper, tha se afër 1.000 tonë grurë është shkatërruar.
Ushtria tha se përveç depove ku ruhej drithi është sulmuar edhe një shtëpi private.
“Stacioni detar në Odesa ka pësuar dëme të konsiderueshme. Nga zjarri është përfshirë edhe një hotel, që nuk ka qenë funksional për vite të tëra”, shtoi ushtria.
Kiper tha se një grua është plagosur nga sulmet në Odesa, raporton REL.
Rusia ka shpeshtuar sulmet ndaj infrastrukturës së Ukrainës që përdoret për eksportin e drithërave në Odesa, por edhe në rajonin tjetër jugor të Mikolajivit.
Sulmet janë shpeshtuar pasi Moska u tërhoq nga një marrëveshje, që i mundësonte Ukrainës eksportin e sigurt të drithërave nga portet në Detin e Zi.
Po ashtu është raportuar për sulme edhe në pjesë të tjera të Ukrainës. Guvernatori rajonal i Hersonit, Oleksandr Prokudin, tha se Rusia ka sulmuar qytetin Berjsllav, në pjesën e djathtë të lumit Dnjepër, duke lënë të vrarë të paktën një person.