Teksa sulmi ndaj policisë së Kosovës ka rritur në maksimum tensionet me Serbinë, nga Tirana zyrtare apelohet për shmangie të çdo konflikti.
Thirrja ka ardhur nga kryeministri Edi Rama gjatë ministerialit euro-ballkanik, të ministrave të ekonomisë në kuadër të procesit të Berlinit.
“Sot që lufta është në dyert tona, në Ukrainë, është e rëndësishme mos ta shohim luftën si video-lojë, por si katastrofë që duhet ta shmangim me çdo mjet, kudo, në çdo lloj forme, edhe përmes konflikteve më të vogla që nga historia e rajonit mjafton për të ndezur një luftë Ballkanike, por edhe një luftë evropiane e botërore. Duhet ta bëjmë këtë rajon një terren të lulëzuar për njerëzit- u shpreh Rama
Ky aktivitet, i cili zhvillohet për herë të parë në vendin tonë, do të ulë në një tryezë të gjithë ministrat e ekonomisë së Ballkanit perëndimore dhe jo vetëm.
Qëllimi është marrja e masave konkrete për të përshpejtuar integrimin e Ballkanit perëndimor në Bashkimin Europian.
“Samiti do të diskutojë për diçka krejt të re që edhe një herë 5 vite më parë ishte e papërfytyrueshme, planin e ardhshëm të BE-së për të mbështetur Ballkanin Perëndimor duke u hapur në disa mënyra. Është koha të ecim para dhe të nisim të shohim vepra premtuese. Mund të mos biem dakord për një sërë gjërash në këtë rajon. Mund të kemi çështje të rëndësishme ende të pambyllura, por e vetme mënyrë është të përpiqemi që të biem dakord për atë që mund të bëjmë së bashku. Gjithmonë e më tepër kemi parë sa e rëndësishme është të trajtojmë çështjet tona. Sa më të mira urat që ndërtojmë më e mirë është hapësira për të trajtuar edhe çështjet e vështira, – tha Rama.”
Të dhënat nga shoqatat e biznesit flasin se janë rreth 6000 sipërmarrje nga Ballkani, që kanë përfituar nga heqja e barrierave me Bashkimin Europian.
Samiti i kësaj të martë pritet të konkludojë masa konkrete që t’i vijnë në ndihmë bizneseve, të cilat do të zyrtarizohen në samitin e radhës që do të mbahet në 16 tetor.