Një lajm i rëndë vjen nga futbolli amerikano-latin e specifikisht nga Kolumbia. Humbja e një ndeshje futbolli duket se i ka kushtuar shtrenjtë presidentit të Tigres (skuadër e divizionit të dytë), Edgar Paez. Paez ishte duke lënë ambientet e stadiumit Metropolitano de Techo në makinën e tij së bashku me vajzën e tij dhe në këtë moment, dy burra me motor i janë afruar makinës së 63-vjeçarit duke qëlluar me armë duke e lënë të vdekur në vend.
Për fat të mirë, vajza e tij ia doli të shpëtonte nga ky atentat terrorist që dukej se lidhej me futbollin. Policia e Bogotës tashmë ka nisur një hetim për vrasje dhe është vendosur në kërkim të autorëve. Ndërkohë, klubi i Tigres reagoi me anë të një komunikate duke theksuar rëndësinë e Paez në botën e futbollit.
“Tigres dhe futbolli në Kolumbi janë të shkatërruar nga ky lajm për Paez. Përkushtimi i tij ndaj klubit dhe zhvillimi i sportit në këtë zonë ka qenë i jashtëzakonshëm. Paez ka lënë gjurmë tek secili person që e ka njohur”, shkruhej në komunikatën e Tigres.