LajmeRajon

Stano: BE-ja ndërmjetësuese në dialog, iu takon palëve për të gjetur zgjidhje konstruktive

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se BE-ja si lehtësuese, mund vetëm të ndihmojë palët që të arrijnë tek një marrëveshje, por kurajo e nevojshme për të arritur kompromise dhe gatishmëria për të gjetur zgjidhje konstruktive mbeten tek pjesëmarrësit e këtij dialogu.

Kështu është shprehur ai teksa është pyetur se a kanë një tjetër strategji Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, pasi strategjia e tyre në dialog nuk po sjellë rezultate.

“Ajo çka Përfaqësuesi i Lartë dhe emisari i BE-së janë duke bërë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, është duke u bërë bazuar në mandatin e dhënë nga 27 vendet anëtare, dhe BE-ja po e lehtëson procesin me kërkesë të Kosovës e Serbisë”, u shpreh Stano.

“Bashkimi Evropian si lehtësuese, mund të vetëm të ndihmojë palët që të arrijnë tek një marrëveshje, por kurajo e nevojshme për të arritur kompromise dhe gatishmëria për të gjetur zgjidhje konstruktive mbeten tek pjesëmarrësit e këtij dialogu. Dhe mund që sërish t’i referohem deklaratës së fundit nga 27 vendet anëtare, ku e kanë shprehur mbështetjen e plotë për Përfaqësuesin e Lartë dhe emisarin e BE-së, si lehtësues të dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit”, shtoi ai.

Në orët e hershme të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit.

Si pasojë e përleshjeve, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.

Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës prej nga u përlesh me Policinë e Kosovës.

Show More

Related Articles

Back to top button