Kryeministri Albin Kurti i është kthyer edhe njëherë ngjarjeve të rënda në Manastirin e Banjskës dhe ka akuzuar presidentin serb Aleksandër Vuçiç se donte ta shndërronte Banjskën në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës.
Kurti zbulon se gjatë takimit të majit në Bruksel, Vuçiç i kishte thënë se Millan Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve.
“Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor: kush integrohet, jeton më mirë. Serbët në Kosovë nuk kanë nevojë për çlirim nga Republika e Kosovës por nga veglat terroriste të Serbisë.
Vuçiç është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. Ai dëshironte që me 24 shtator ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës!
Në takimin e 2 majit në Bruksel na tha që Millan Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve. Por, duke qenë diktator, ai s’e kupton historinë: epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen”, shkruan Kurti.