Koalicioni evropian i partive që angazhohen për integrimin dhe avancimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian do të jetë fituesi në zgjedhjet e ardhshme presidenciale e më pas dhe në ato parlamentare, porositi kryeministri Dimitar Kovaçevski, raporton MIA.
I pyetur për të komentuar deklaratën e kreut të BDI-së Ali Ahmeti se fronti evropian mund të dalë bashkë në zgjedhjet e ardhshme, Kovaçevski tha se i pari ka deklaruar se në vendin tonë ekzistojnë dy koncepte, një për BE-në dhe një për izolim, dhe se kjo “është ajo për të cilën mendon edhe kryetari i BDI-së, Ahmeti”.
“Lidhur me pjesëmarrjen zgjedhore, po ashtu konfirmoj se në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, meqë fillimisht shkojnë ato presidenciale dhe më pas ato parlamentare, kandidati i koalicionit evropian të koncepteve dhe partive politike që angazhohen për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, do të jetë kandidati fitues dhe do të zgjidhet president i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa më vonë në zgjedhjet parlamentare koalicioni që është për Maqedoni evropiane poashtu do ta formojë përsëri qeverinë e ardhshme në vend”, deklaroi Kovaçevski.
Lidhur me pjesëmarrjen konkrete të zgjedhjeve, Kovaçevski theksoi se ajo mbetet pjesë e një marrëveshje koalicioni e cila bëhet në bazë të programit të harmonizimit dhe në bazë të përafrimit të sistemit të vlerave mes më shumë partive të koalicionit. Megjithatë, ka theksuar ai, asnjë opsion nuk përjashtohet në atë pjesë.
Kovaçevski rikujtoi se një vit më parë në tribunat që kishte LSDM ka thënë se në vend ka dy koncepte.
“Njëri koncepti është i integrimit evropian dhe avancimit të shtetit në BE në anëtarësimin e saj të plotë dhe marrjen e vendimeve të nevojshme që udhëheq LSDM dhe partnerët e koalicionit dhe në atë koncept u bashkuan edhe parti të tjera politike, si Aleanca për Shqiptarët. Dhe ka një koncept të dytë, që angazhohet për bllokadë dhe izolim dhe përsëritjen e asaj dekade apo prej 11 vitesh që kishim një shtet të izoluar me paga dy herë më të ulëta se sot, me pensione dy herë më të ulëta se sot, me standard më të ulët se sot, me të prishje të marrëdhënieve me fqinjët, me prishje të marrëdhënieve brenda dhe me asnjë milimetër të lëvizur në integrimet evropiane”, deklaroi Kovaçevski.