Nga VMRO-DPMNE thonë se ka parregullsi gjatë furnizimeve publike në Klinikën e Hematologjisë në Shkup, përcjell TV21. Nga kjo parti thonë se drejtoresha Irina Panovska-Stavridis furnizohet nga kompania e babait të saj, SH.A. “Dr. Panovski”.
“A hedhin njollë të zezë tenderët nga Panovska te Panovski në Klinikën e Hematologjisë? Marrëveshja e blerjes e lidhur më 1 shtator me shitësin me shumicë SH.A. “Dr. Panovski” nuk është kontrata e parë që ka lidhur kjo klinikë, ku drejtoreshë është vajza dhe ofertues babai. Interesat e biznesit dhe politikat e tenderit që kjo qeverisje e LSD-së dhe BDI-së i ka zbatuar me vite kudo, edhe në shëndetësi, kanë rezultuar me rrënim të sistemit shëndetësor, cenimin e të drejtave të pacientëve dhe largimin masiv të mjekëve të pakënaqur nga shëndetësia publike. Përveç kësaj, nëse hapni faqen e ISHP KU Hematologji, do të shihni se plani vjetor i fundit i publikuar për prokurimin publik është në vitin 2021. Ku është transparenca për të cilën ata flasin dhe më e rëndësishmja pse nuk janë publikuar planet vjetore të prokurimit publik për 2022 dhe 2023?”, thonë nga VMRO-DPMNE.