I ashtuquajturi front opozitar, respektivisht Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa, shprehën qëndrimin e qartë se nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese që përfshijnë futjen e bullgarëve dhe pakicave tjera etnike në Preambulën e Kushtetutës, e që paraqet kusht për hapjen e kapitujve në bisedimet për anëtarësim të vendit në BE, shkruan TV21. Deputetja e Alternativës, Safije Sadiki-Shaini thotë se përveç heqjes së “20-shit” nga Kushtetuta, që i referohet gjuhës shqipe, kërkojnë edhe pranimin e amendamenteve të tyre, për luftë kundër korrupsionit.
“Unë edhe më herët, gjithmonë, edhe para jush, edhe në foltoren e Kuvendit kam thënë se nëse “20%-shi” nuk është pjesë e ndryshimeve kushtetuese, nuk do t’i mbështesim ndryshimet kushtetuese”, tha mes tjerash Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.
“Njëjtë edhe ne, mendoj si grup parlamentar i Lëvizjes Demokratike, nga fillimi ky ka qenë qëndrimi ynë. Nga fillimi ne kemi pasur mbledhje ë përbashkët dhe të posaçme, kështu që deri në këtë moment, në të njëjtin qëndrim jemi edhe ne, në vazhdim do të shohim se si”, tha deputetja e LD-së, Merita Koxhaxhiku.
“Edhe ne si Alternativë jemi deklaruar që duhet fillimisht ta pranojnë amendamentin tonë kushtetues kundër korrupsionit dhe nëse nuk pranohet edhe ky amendament, nuk do t’i votojmë ndryshimet kushtetuese”, theksoi deputetja e Alternativës, Safije Sadiki-Shaini.