Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përmes një letre i është drejtuar parlamentit dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarisë, i cili sipas Macronit, i hap rrugën integrimit evropian.
“Një mundësi historike po hapet, zgjedhja është e juaja”, u tha qytetarëve maqedonas presidenti francez Emmanuel Macron, në letrën e publikuar të enjten nga ambasada franceze në Shkup.
Macron nuk pretendon se propozimi francez është i përsosur, por thotë se e fut vendin në Bashkimin Evropian. Sipas kreut të shtetit francez, “propozimi e konsideron Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë si themelin e vlerave evropiane” andaj edhe ka theksuar nevojën për rishikimin e kushtetutës për integrimin e komuniteteve të reja në të.
“Vendi juaj është tashmë një shembull i bashkëjetesës në Evropë”, thekson Macron në letër.
“Tani ju takon ju maqedonasve të deklaroheni. Fuqia për të ndryshuar rrjedhën e historisë është tani në duart tuaja. Nuk do t’ju them se kjo marrëveshje është e përsosur, por do të pastrojë rrugën tuaj evropiane. Si çdo marrëveshje, edhe kjo bazohet në kompromise dhe ekuilibër. Kjo marrëveshje nuk e vë në dyshim ekzistencën zyrtare të gjuhës maqedonase, e cila është pjesë përbërëse e identitetit tuaj”, ka shkruar Macron.
Duke iu referuar marrëveshjeve të Ohrit dhe Prespës, me të cilat Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s, Macron thotë se “populli maqedonas ka fituar respektin e gjithë Evropës dhe dinjiteti i fituar i popullit maqedonas nuk do të vihet kurrë në dyshim”.
Me mesazhe të ngjashme këto ditë kanë qëndruar në Shkup edhe kreu i Këshillit Evropian Charles Michel dhe i dërguari i posaçëm gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin.
Propozimi francez është mbështetur nga Bullgaria e cila edhe vendosi të heq veton për Shkupin për nisjen e bisedimeve me BE-në, që e kishte vendosur në nëntor të vitit 20202.
Partitë qeverisëse në Shkup mbështetin propozimi francez, por ai kundërshtohet nga opozita maqedonase e cila tani pesë ditë po organizon protesta të cilat u përshkallëzuan edhe në dhunë nëpër rrugët e Shkupit.
Opozita maqedonase që udhëhiqet nga VMRO DPMNE-ja konsideron se propozimi vë në dyshim ekzistimin e gjuhës dhe identitetit maqedonas./ Radio Evropa e Lirë/.