LajmeMaqedoni

AUTOSTRADA KËRÇOVË-OHËR LARG PËRFUNDIMIT: Pret 2024-ën

Autostrada Kërçovë- Ohër edhe tre muaj para skadimit të afatit, vështirë se do të lëshohet në përdorim. Gjendja në terren udhëzon se vështirë do të arrihet afati i vendosjes në përdorim të këtij aksi të rëndësishëm rrugor deri në vitin e ri

  Autostrada Kërçovë- Ohër edhe tre muaj para skadimit të afatit vështirë se do të lëshohet në përdorim. Edhe pse në terren janë përfunduar të gjashtë urat, në përfundim e sipër janë edhe punimet në tunelet në qafën e Presekës, me gjatësi prej 1996 metra dhe me gjatësi prej 2011 metra si tuneli rrugor më i gjatë i ndërtuar në vend, ku gjatësia totale e dy tubave të tunelit është 4015 metra. Mirëpo gjendja në terren udhëzon se vështirë do të arrihet afati i vendosjes në përdorim të këtij aksi të rëndësishëm rrugor deri në vitin e ri. Për më tepër pritet që edhe me përkeqësimin e motit dhe hyrjen në stinën e vjeshtës dhe dimrit po vështirësohen edhe kushtet e punës në këtë kantier ndërtimi.

Nga ana tjetër, ministri i transportit Bllagoja Boçvarski, deklaroi kohë më parë se në këtë mandat apo deri në vitin 2024, planifikon të lëvizë përgjatë autostradës Kërçovë-Ohër dhe Gradsko-Prilep, duke shtuar se ajo do të lëshohet pjesërisht në përdorim sipas përfundimit të punëve në terren. Sipas tij po bëhen të gjithë koordinimet dhe presionet ndaj kryerësve të punimeve në terren që të kryejnë punimet e tyre, për shkak se institucionet kanë përfunduar punët e tyre. Nga Ministria e Transportit nuk përjashtojnë mundësinë as të ngritjes së problemit të vonesës eventuale në ndërtimin e kë saj autostrade në gjykatën kompetente. Bile shtojnë se edhe mund të ketë edhe gjoba për kontraktuesin nëse nuk respektohen afatet dhe autostrada Kërçovë-Ohër nuk përfundon deri më 31 dhjetor 2023.

Punimet për ndërtimin e kësaj autostrade kanë filluar në shkurt të vitit 2014, nën qeverisjen e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe BDI dhe është dashur të përfundojnë deri në vitin 2018. Por ndërtimi u vonua dhe ndërkohë erdh qeveria e re. Sipas arsyetimit të institucioneve kompetente, zgjatja është kryesisht për shkak të zgjidhjes së çështjeve pronësore juridike, gabimeve në projektim dhe lëshimeve të tjera, siç janë hyrje daljet në autostradë. Me një aneks të Marrëveshjes, fillimisht afati i ndërtimit ishte shtyrë deri më 30 qershor 2021 dhe më pas afati ishte shtyrë sërish edhe për dy vite të tjera, pra deri në fund të vitit 2023. Sipas vlerësimeve fillestare, ndërtimi i autostradës nga Kërçova deri në Ohër është dashur të kushtojë 374 milionë euro, por pas anekseve të shumta shtesë ka arritur në gati 600 milionë euro.

Për shkak të problemeve me dokumentacionin jo të plotë projektuesi u vonua ndërtimi i rrugës, ndërsa realizuesi kryesor i punëve në teren kompania kineze “Sinhidro”, kërkoi 152 milionë euro shtesë vetëm për përfundimin e tunelit të gjatë 4 kilometra tek lokaliteti Preseka, ndërsa afër 90 milionë euro të tjera janë kërkuar për harxhimet shtesë në pikat e tjera problematike të ndërtimit. Bile analizat kanë treguar se materiali ku është kryhet shpimi i tunelit “Preseka” tek fshati Vërbjan, kushtëzon çmim më të lartë të ndërtimit për shkak se tuneli, ishte parashikuar të ndërtohet mbi një shkëmb pa hulumtime paraprake gjeologjike, ndërsa tani tereni dikton çmim më të lartë ndërtimi që duhet të harmonizohet me partnerin kinez të ndërtimit.

Kjo rrugë e rëndësishme që nga fillimi i ndërtimit ballafaqohet me probleme të ndryshme ku fillimisht nuk ishin parashikuar hyrje-dalje ndaj rrugëve lokale, ndërsa një pjesë e rrugës ishte e parashikuar të ndërtohet mbi rezervuarin që furnizon Kërçovën me ujë.

Ndryshe, autostrada Kërçovë-Ohër filloi të ndërtohet në 2014-ën dhe duhej të jetë gati në shkurt të vitit 2018. Prokuroria publike Speciale në bazë të indikacioneve nga përgjimet jo legale apo “bombat” , hapi rastin kundër ish funksionarëve të pushtetit të dyshuar për marrjen e mitës si dhe për mënyrën e udhëheqjes së procedurës së tenderit. Nga ana tjetër edhe Enti Shtetëror i Revizionit konstatoi se ndërtimi i autostradave të reja po zhvillohet me tempo të ngadalshme, ekziston vonesë e punëve ndërtimore si dhe realizimit financiar të punëve të planifikuara dhe kontraktuara. (koha.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button