Projektligji për amnisti që ndodhet për miratim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ka shkaktuar mospajtime ndërmjet Aleancës për Shqiptarët (ASH) dhe Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), ndonëse se ai ka kaluar në Qeveri me mbështetjen e të gjitha partive të koalicionit qeverisës, raporton REL.
Deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski se “tani nuk është koha për miratimin e një ligji të tillë”, për faktin se nuk do të jepte efekte sa i përket qëllimit për shpopullimin e burgjeve, është kundërshtuar nga propozuesi, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, nga Aleanca për Shqiptarët.
Madje, ai deklaratën e Spasovskit e quajti “qëndrim për fushatë politike për zgjedhjet presidenciale” duke aluduar në kandidaturën e mundshme të Spasovskit për president të Maqedonisë së Veriut.
Projektligji parasheh lirimin nga burgu të personave të dënuar me deri gjashtë muaj burgim, ndërsa të dënuarit me mbi gjashtë muaj burgim, do të përfitojnë ulje të dënimit prej 30 për qind.
Amnistia nuk do të vlejë për personat e dënuar me burgim të përjetshëm, të dënuarit për vrasje, përdhunim, keqpërdorime zgjedhore, për personat e dënuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike, për veprimtari kundër shtetit, për shpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe për të dënuarit për dhunë në familje dhe mbi baza gjinore.
Por, dështimi i këtij propozimi në Kuvend mund të çojë edhe në krizë të thellë qeveritare deri në largimin e Aleancës nga Qeveria për faktin se është një nga pikat kryesore të programit të saj për hyrje në qeveri.
Nga ASH-ja, zyrtarisht nuk i kanë komentuar përplasjet me LSDM-në, por kanë shprehur besim se propozimi i tyre do të miratohet në Kuvend, ndërsa qëndrimin e Spasovskit e vlerësojnë si personal.
“Mendoj se është mendim personal i Spasovskit pasi Qeveria e ka kaluar si propozim, e të cilin e ka përgatitur Ministria e Drejtësisë. Pra, derisa ka kaluar në Qeveri, konsiderohet si vendim i saj. Z.Spasovski është një prej anëtarëve të Qeverisë dhe ka mundur aty ta kontestojë, andaj nuk besoj se do të ketë problem dhe ne insistojmë që ky ligj të miratohet”, ka deklaruar kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka thënë se personat që do të përfitojnë nga amnistia apo që do të lirohen nga vuajtja e dënimit me burgim, janë persona që sërish do të kthehen në burgje pasi shumë prej tyre përballen me vepra tjera apo që janë në proces e sipër të gjykimit.
“Është qëndrimi im dhe unë mbetem pas asaj se me këtë projektligj nuk do të kemi efekte në shpopullimin e burgjeve, prandaj duhet të mendojmë një strategji tjetër, atë të krijimit të kushteve më të mira. Ata persona që kanë kryer krime të rënda, veçanërisht grabitje, vjedhje të rënda, janë ende një barrë për situatën e sigurisë”, ka deklaruar Spasovski.