LajmeRajon

‘Serbët duan hakmarrje’/ Sulmohet shtëpia e shqiptarit në Medvegjë, kërkohet ndihmë nga Shqipëria dhe OSBE

Shqetësimet e liderëve të Luginës së Preshevës se mund të ketë hakmarrje nga Serbia pas ngjarjeve në Banjskë po dalin të vërteta.

Pa kaluar as një javë nga sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës dhe vrasjes të së paku tre terroristëve të përfshirë në sulm, familja Muharremi nga Medvegja është kërcënuar nga serb të maskuar.

Sulme verbale dhe gjuajte me gurë për rreth gjysmë ore janë hedhur në Drejtim të shtëpisë së kryefamiljarit Ruhan Muharremi nga Medvegja mbrëmjen e së shtunës.

Djali i Muharremit, Besarti për Telegrafin ka thënë se për këtë kërcënime e sulme janë lajmëruar organet e sigurisë.

Ai thotë se pas këtij raportimi prindi është ftuar për deklaratë në polici.

“Prindërit e mi janë kërcënuar mbrëmë gjatë orëve të vona të natës nga një grup prej 15 personash në Medvegjë. Kanë kënduar këngë nacionaliste dhe kanë hedhur gurë në vetura e shtëpinë e prindërve”, ka treguar Besarti për Telegrafin.

Për kërcënimin në fjalë ka folur edhe kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve Nevzat Lutfiu.

“Sot dy herë jam dëgjuar me pjesëtarët e familjes Muharremi nga Medvegja, që mbrëmë në drejtim të shtëpisë së tyre janë gjuajtur gurë dhe gjësende tjera”.

Ai për këtë veprim të ekstremistëve serb e ka vënë në dije edhe Ambasadën e Shqipërisë dhe OSBE-në.

“Pjesëtarët e kësaj familjeje janë shumë të shqetësuar. E kam njoftuar ambasadën e Shqipërisë në Beograd dhe përfaqësuesit e OSBE lidhur me këtë sulm ndaj kësaj familjeje”, ka shkruar Lutfiu në Facebook.

Edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi ka reaguar për sulmin duke dënuar aktin vandal ndaj familjes shqiptare.

“Ne kërkojmë që autoritetet e sigurisë të ndërhyjnë menjëherë për të ruajtur rendin dhe qetësinë dhe për të siguruar që qytetarët shqiptarë në Medvegjë të mos jenë të ekspozuar ndaj abuzimeve dhe tmerreve të tilla”.

“Gjithashtu, ftojmë bashkësinë ndërkombëtare të ndjekë ngjarjet dhe të monitorojë situatën e sigurisë me kujdes, sidomos në Luginën e Preshevës”, ka shkruar Kamberi.

Show More

Related Articles

Back to top button