Propozim – ligji për amnistinë është dërguar në procedurë kuvendore pa flamur evropian dhe nuk është përgatitur për personalitete, por për vepra të përmasava më të vogla, me qëllim të relaksimit të kapaciteteve të stërmbushura në burgun Idrizovë dhe në objektet e tjera strehuese në kuadër të Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, porositi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski.
“Ligji ishte përgatitur disa muaj nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe pasi ishte përgatitur u ishte dërguar të gjitha grupeve parlamentare në Kuvend, duke përfshirë edhe grupin parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe nuk është e vërtetë se nuk e kanë parë ligjin. Llojllojshmëria e mendimeve të ndryshme të cilat ekzistojnë për ligjin janë të mira dhe mund të merren aspekte të ndryshme në lidhje me efektet e ligjit”, tha Kovaçevski në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve gjatë vizitës së sotme në IPKF KQ “13 Nëntori” objekti “Park” në komunën Qendër me rastin e “Ditës së fëmijëve” bashkë me ministren e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.
Për ligjin, siç tha, ka mendime të ndryshme prej të cilave disa nisen nga shkaqet humane, ndërsa një pjesë nga shkaqet racionale.
“Një ligj i njëjtë është miratuar në vitin 2018 dhe atëherë të gjithë e mbështetën. Tani ligji i propozuar është madje më restriktiv. Numri i vendeve në burgje është rreth 2.113 aq sa për momentin ka persona në burgje. Për të vuajtur dënimin presin edhe 2.200 persona që nënkupton se për momentin janë të nevojshme 4.000 vende që të strehohen të gjithë ata që presin për të vuajtur dënimin”, tha Kovaçevski dhe shtoi se qendra më e madhe për strehim në shtet me të gjitha vendet ka kapacitet pikërisht prej 4.000 vendeve.
Të gjitha ato, po t’i bëni objekte për të dënuar, theksoi, për një javë përsëri do të mungojnë vende.
“Prandaj disa nga deputetët dhe ministrat me të cilët kam biseduar thonë se duhet të ketë një qasje strategjike, e cila për mendimin tim duhet të përbëhet nga tri pjesë. Pjesa e parë është investimi në objekte të reja, për të cilat qeveria përmes BERZH-it ka siguruar 24 milionë euro për ndërtimin e objektit të ri në kuadër të burgut të Idrizovës me kapacitet akomodues prej 900 vendesh dhe për rinovimin e kapacitetit ekzistues të burgut. E dyta është përdorimi i shërbimit të provës, i cili është futur në vitin 2017 kur katër persona i nënshtroheshin shërbimit të provës, ndërsa sot janë 450, sepse qendra të tilla me profesionistë të punësuar tashmë janë hapur në Shkup, Kumanovë, Tetovë, Prilep, Manastir, Strumicë. E treta është futja e byzylykëve elektronik për ata që mund ta mbajnë dënimin në shtëpi”, tha Kovaçevski dhe theksoi se byzylykët elektronikë tashmë janë blerë dhe së shpejti një procedurë e tillë duhet të zbatohet.
Ligji i ri për amnistinë, siç tha, nuk është bërë për personalitete, por është bërë për vepra me përmasa më të vogla të cilat janë theksuar në zgjidhjen ligjore.
“Në ligj shumë qartë është saktësuar se cilat vepra nuk mund të amnistohen. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e rasteve të caktuara të cilat kanë ndodhur në të kaluarën në shtet grupi parlamentar i LSDM-së do të parashtrojë amandament. Llojllojshmëria e mendimeve të ndryshme për këtë ligj tregon se mund të merren aspekte të ndryshme për funksionimin e tij dhe përgjatë procedurës demokratike të arrihet zgjidhje e cila do të jetë e pranueshme për të gjitha partitë politike dhe për publikun. Mund të arrihet edhe zgjidhje e cila nuk do të jetë e pranueshme, sepse ka paralajmërim nga VMRO-DPMNE se nuk do ta mbështesin”, saktësoi Kovaçevski.
Forma finale e zgjidhjes ligjore, si dhe nëse do të miratohet, theksoi, do të varet nga mënyra në të cilën do të shpjegohet në Kuvend nga ministri i Drejtësisë dhe nga mendimet, idetë dhe përvojat e ndryshme nga ligji i njëjtë i miratuar më parë në vitin 2018.
“Procesi i tillë do t’i përballë argumentet të cilat i kanë partitë e ndryshme politike, por edhe ekspertë dhe funksionarë të ndryshëm në kuadër të një partie të caktuar politike”, tha Kovaçevski.