Për disa minuta pastrim, u mbushën pesë qese me mbeturina. Këto mbeturina dolën në dhe përreth oborrit të Teatrit në Gostivar, Qendrës për Kulturë, institucion tjetër publik kulturor, shkollës fillore “Ismail Qemali”, por edhe një objekti kolektiv banimi. Në aksion u kyçën të gjithë të punësuarit e Teatrit, të cilët thonë se kjo nuk është e hera e parë që zhvillojnë aktivitete të këtilla. Drejtuesi i këtij instituconi, Sulejman Rushiti theksoi se simbolika e aksionit është të përcillet mesazhi, se siç i mbajmë të pastra oborret e shtëpive tona, ashtu duhet të sillemi edhe me hapësirat e tjera në qytet, sidomos ato publike.
Aksioni ka qenë iniciativ veteanake e Teatrit, i cili duhet të ndiqet edhe nga institucione të tjera. Rushiti tha se ata nuk janë institucion që zgjidhin problemin, por mund të dërgojnë vetëm mesazhin për ngritjen e vetëdijes tek qytetarët, që qyteti të mirëmbahet dhe mos të hidhen mbeturina vend e pa vend.
Aksioni filloi nga hyrja e Teatrit dhe më pas vazhdoi pas objektit të Qendrës për Kulturë, ndërsa përfundoi te pjesa nga bulevardi kryesor, ku e ka njërën nga hyrjet e saja shkolla fillore “Ismail Qemali”.