Gjykata Kushtetuese do të nisë procedurë për nenin 41-a të Ligjit për Arsimin e Mesëm për transportin falas, të cilin aktualisht e kanë vetëm nxënësit e shkollave të mesme nga shkollat publike. Gjykata do të vlerësojë kushtetutshmërinë e pikës 3 të këtij neni, në pjesën “publike”, ku thuhet se nëse në komunën ku jeton nxënësi me regjistrimin në vitin e parë, plotësohen të gjitha vendet, ai ka të drejtën e transportit falas nëse regjistrohet në një shkollë publike në një komunë tjetër, transmeton Portalb.mk.
“Gjykata duke vepruar në bazë të nismës së Lluka Paviqeviq nga Shkupi, ka vendosur që të fillojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 41-а paragrafi 1 në pjesën ‘publike’ nga Ligji për arsimin e mesëm. Gjithashtu, Gjykata ka vendosur që të fillojë procedura edhe për vlerësimin e kushtetutshmërisë të nenit 3 në pjesën ‘publike’ nga neni i njëjtë”, informojnë nga Gjykata Kushtetuese.
Arsyeja për ekzistimin e dyshimit themelor në kushtetutshmërinë e këtyre pjesëve nga dispozitat e Ligjit për arsimin e mesëm, sipas Gjykatës, është për shkak të asaj që me ato shkelet parimi kushtetues i barazisë, në mënyrë që vendoset trajtim i ndryshëm për nxënësit në shkollat publike, në raport me nxënësit në shkollat e mesme private gjatë shfrytëzimit të transportit falas në shkolla, gjegjësisht parashihet që këtë të drejtë ta shfrytëzojnë vetëm nxënësit e rregullt në shkollat e mesme publike.
Gjykata në mbledhjen e djeshme vendosi që të mos fillojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 41-а paragrafi 2 nga Ligji për arsimin e mesëm.