BotaLajme

Liderët botërorë dënojnë sulmin ndaj ish-kryeministrit japonez: Shinzo Abe, qëndro i fortë

Një sulm me armë rrëzoi përtokë ish-kryeministrin japonez Shinzo Abe derisa po mbante fjalim në një tubim zgjedhor.

Lajmi la të shokuar shumë liderë botërorë, shumicës prej të cilëve iu ra të punonin me të si kryeministri më jetëgjatë në pushtet në Japoni.

“I dashur Shinzo Abe, qëndro i fortë. Mendimet tona dhe lutjet janë me familjen tënde dhe popullin e Japonisë”, ka shkruar presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Nga BE-ja reagoi edhe Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell.

“I tronditur thellësisht nga sulmi kundër Shinzo Abes. BE-ja qëndron në solidaritet të plotë me Japoninë në këto momente të dhimbshme”.

Edhe kryeministri britanik Boris Johnson tha se ishte “i tmerruar dhe i pikëlluar kur dëgjoi për sulmin e neveritshëm ndaj Shinzo Abe”.

“Mendimet e mia janë me familjen dhe të dashurit e tij”.

Kryeministri i Indisë Narendra Modi tha në Twitter se ishte “thellësisht i shqetësuar” nga sulmi ndaj Abes, të cilin ai e përshkroi si “mikun e tij të dashur”.

Ministrja e Jashtme e Koresë së Jugut, Park Jin, i shprehu ngushëllime ministrit të Jashtëm japonez, Yoshimasa Hayashi, në takimin e Grupit 20 në Bali.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken, i cili ishte në Bali për një takim të G20, u tha gazetarëve se ishte “thellësisht i pikëlluar dhe thellësisht i shqetësuar” nga lajmet për Shinzo Abe.

“Lutjet tona janë me të, me familjen e tij dhe me popullin e Japonisë”.

Edhe kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, tha në Twitter se qëndron me familjen e Abes dhe popullin japonez në këtë kohë.

Presidentja e Tajvanit Tsai Ing-wen tha në Facebook se Shinzo Abe ishte jo vetëm një mik i mirë i saj, por edhe aleati më i vendosur që ka mbështetur Tajvanin për vite me radhë dhe nuk ka kursyer asnjë përpjekje në promovimin e marrëdhënieve midis Tajvanit dhe Japonisë. Tsai tha se shpresonte të dëgjonte një lajm të mirë nga “miku ynë i mirë”.

Show More

Related Articles

Back to top button