Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se nuk ka asnjë garanci që blloku 27-anëtarësh do të jetë në gjendje të bie dakord shpejt për pakon e re të sanksioneve kundër Rusisë, pasi një grup i vogël vendesh të udhëhequr nga Hungaria kundërshtojnë embargon e naftës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komisioni Evropian propozoi më 4 maj pakon e gjashtë të sanksioneve kundër Rusisë, që përfshinte ndalimin e importeve të naftës nga Rusia. Hungaria është një nga pak vendet që nuk ka dalje në det që janë shumë të varura nga nafta ruse, së bashku me Republikën Çeke dhe Sllovakinë, ndërsa rezervime ka shprehur edhe Bullgaria.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, thotë se “do të bëjmë më të mirën për të zhbllokuar situatën. Nuk mund të siguroj se do të ndodhë sepse qëndrimet janë mjaft të forta”. Vërejtjet e tij erdhën sot ndërsa ai përgatitej të kryesonte një takim të ministrave të jashtëm të bllokut.
Borrell tha se “disa shtete anëtare përballen me më shumë vështirësi sepse janë më të varur, sepse nuk kanë dalje në det” dhe se “ata kanë naftë vetëm përmes tubacioneve që vijnë nga Rusia”.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, tha se “i gjithë bashkimi po mbahet peng nga një shtet anëtar”. Ai deklaroi se vendeve si Hungaria iu ofrua një ndërprerje graduale e naftës ruse deri më 31 dhjetor 2024 dhe se “të gjithë prisnin që kjo të mjaftonte”.