Deputeti dhe nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, në një konferencë për media pasditen e sotme tha se si parti ata e mbështesin Projektligjin për Amnistinë.
Siç theksoi ai, të gjithë koordinatorët e grupeve parlamentare janë njohur me këtë zgjidhje ligjore.
“Para se të miratohej nga Qeveria, Ministria e Drejtësisë e ndau draftin me të gjithë koordinatorët e grupeve parlamentare. Ne jemi njoftuar paraprakisht për përmbajtjen e Projektligjit për Amnistinë. Kjo është e vërteta. Dhe në takimin me të gjithë koordinatorët që ka mbajtur ministri Lloga, ai na informoi edhe për synimin e Ministrisë së Drejtësisë, bazuar në gjendjen reale. Ne i dimë kushtet në burgje dhe prandaj mendoj se qëllimi është i mirë. Të gjithë duhet të kujdesemi për kushte më humane në këto institucione, kështu që Bashkimi Demokratik për Integrim do ta mbështesë këtë projektligj”, tha Ademi.