BotaLajme

Presidentja sllovake kundërshton transferimin e armëve në Ukrainë

Fituesi i zgjedhjeve parlamentare në Sllovaki, Robert Fico, i cili premtoi se nuk do t’i jepte më ukrainasve as edhe një armë, nuk është bërë ende kryeministër, por presidentja Zuzana Çaputova tashmë po kundërshton transferimin e armëve të tjera në Ukrainë.

Gazeta sllovake Dennik N raportoi të mërkurën se presidentja, e cila mbështeti shtetin ukrainas gjatë gjithë luftës, shpjegoi qëndrimin e saj me nevojën për të respektuar rezultatet e zgjedhjeve.

Ministria Sllovake e Mbrojtjes po shqyrton mundësinë e transferimit të një pakete tjetër ndihme ushtarake në Ukrainë, e cila mund të transferohet nën qeverinë aktuale, “teknike” të Ludovít Odor, por Çaputova po e kundërshton ashpër këtë lëvizje të qeverisë në largim.

Sipas mendimit të saj, në një situatë kur partia SMER e Ficos dhe disa parti të tjera të vogla që kundërshtojnë mbështetjen ushtarake për Ukrainën fituan shumicën e votave në zgjedhje, dorëzimi i paketës ndërmjet zgjedhjeve dhe formimit të një qeverie të re do të krijonte një precedent të rrezikshëm.

Dennik N nuk specifikon se çfarë do të ndodhë përfundimisht me paketën e ardhshme. Presidenti në Sllovaki është një figurë kryesisht ceremoniale dhe nuk mund të urdhërojë zyrtarisht qeverinë.

Zuzana Çaputova, menjëherë pas zgjedhjeve, nominoi Robert Ficon, si kryetar i partisë fituese, të formonte një qeveri. Ai ka dy javë kohë për të krijuar një koalicion qeverisës me partitë e tjera.

Show More

Related Articles

Back to top button