Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur mbrëmë nga Mbreti i Spanjës, Felipe i VI’të dhe Mbretëresha Letizia.
Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar pamje nga ky moment, ku shihet Osmani duke biseduar me monarkët e Spanjës. Osmani është shoqëruar në këtë pritje nga Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani po qëndron në Granada të Spanjës, ku ka përfaqësuar Kosovën në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Presidentja Osmani të enjten takoi kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kryeministrin britanik Rishi Sunak, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, etj.
Osmani në nisje të këtij samiti u deklarua para mediave ndërkombëtare, duke i njoftuar për situatën në Kosovë dhe sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator.
Ajo tha se ka kërkuar nga liderët evropianë ta dënojnë agresionin e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës.