Presidenti izraelit, Isaac Herzog ka thënë se Izraeli “po përballet me një moment shumë të vështirë”, por ai mund të “kapërcejë të gjithë ata që na dëshirojnë të keqen”.
Në një deklaratë në X, i njohur më parë si Twitter, ai shkroi: “Shteti i Izraelit po përballet me një moment shumë të vështirë. Dëshiroj t’u ofroj forcë komandantëve dhe ushtarëve të IDF (Forcave të Mbrojtjes së Izraelit) dhe të gjitha forcave të sigurisë dhe shërbimeve të shpëtimit. Unë dërgoj inkurajimin dhe forcën time për të gjithë banorët e Izraelit që janë nën sulm”.
Ai u bëri thirrje të gjithëve që të ndjekin udhëzimet nga Komanda e Frontit të Brendshëm dhe të tregojnë përgjegjësi dhe vendosmëri reciproke.
“Ne mund t’i mposhtim të gjithë ata që na dëshirojnë të keqen,” tha ai.
Forcat izralite të Mbrojtjes mobilizojnë ushtarët, shpallin “gjendje lufte”
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thonë se po mobilizojnë ushtarë dhe po thërrasin rezervistët ndërsa shpallin një “gjendje gatishmërie lufte”.
Hamasi pretendon se ka lëshuar 5000 raketa kundër Izraelit në atë që e ka quajtur ‘Stuhia Al-Aksa’.
Një numër i militantëve nga Gaza kanë hyrë gjithashtu në territorin izraelit, thanë Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), duke paralajmëruar izraelitët që jetojnë pranë Gazës të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Dhjetëra raketa të lëshuara nga Gaza drejt Izraelit
Një grua është vrarë pasi dhjetëra raketa u hodhën nga Rripi i Gazës drejt Izraelit, thanë shërbimet izraelite të emergjencës.
Sirenat ranë në jug të Izraelit dhe mund të dëgjoheshin në zonën më të madhe të Tel Avivit të shtunën në mëngjes.
Dy të tjerë janë plagosur – një në gjendje kritike – sipas agjencisë së shpëtimit të Izraelit Magen David Adom.
Grupi militant palestinez islamik Hamas ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se shefat e sigurisë do të takohen si rezultat i sulmeve me raketa.
Një raport fillestar nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), tha se një “numër terroristësh” ishin infiltruar në territorin izraelit nga Rripi i Gazës dhe se banorëve në zonat përreth u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.