Nuk e mohoj se gjithnjë me mosbesim të madh jam paraqitur ndaj Kurtit, duke i analizuar qëndrimet e tij në relacion me organet shtetërore, derisa ishte në opozitë.
Nuk është e vërtetë se e kam urryer, apo kam dëshiruar eliminimin e tij nga skena politike.
Isha shumë i preokupuar kur e mori pushtetin, duke menduar se do të na sjell sërish Serbinë në Kosovë.
close
volume_off
Këtë mendim e ndanin edhe shumë të tjerë me mua, sidomos Haradinaj, Limaj, Lushtaku, Pacolli, Molliqaj, Tahiri, Mustafa etj.
Është e vërtetë se ai Kosovën e drejtonte si në tehun e shpatës. Secili kishte përshtypjen se ne i humbëm miqtë, pa të cilët nuk mbahet shtëpia.
E përjetuam fazën kur të gjithë u pozicionuan kundër nesh duke u nisur nga negociatorët Borrell, Lajçak, Escobar, pastaj EU dhe SHBA.
Unë i kam preokupimet dhe hallet e mia, por kur e shikoja retë që po silleshin mbi Kosovë, nuk mund të flija. Mendoja se do të ishte vetëm çështje kohe kur të gjitha si fluskë sapuni u zhdukën, të cilat me aq sakrificë i kishim fituar.
E dija se në çfarë pozite ndodhej Kurti, sepse edhe unë kaloja çaste të njëjta, po mundohesha të mos i humbisnim miqtë, pa të cilët një hap nuk mund ta bëjmë.
Unë nuk e kisha luksin t´i rrezikoja të gjitha të arriturat, sepse luftën e kisha përjetuar vetë në lëkurën time, prandaj qëllimet doja t´i arrinim së bashku me bashkësinë ndërkombëtare dhe miqtë e Kosovës.
Qytetarët e Kosovës e dinë se edhe unë nganjëherë ngulja këmbë, sidomos kur Serbia na provokoi me trenin, të cilin donin ta fusnin në Kosovë, pastaj Gjuriqin e lidhëm si një qen dhe të cilin e sollëm në Prishtinë, po s´kisha se si të veproja ndryshe. Më duhej ta mbroja sovranitetin e Kosovës.
Ndonjëherë po ashtu qytetarëve të Kosovës u jepja kurajo, me shëtitjen time me barkë në liqenin Ujmanit, në Veriun e Kosovës.
Me këtë të gjithëve ua bëja të ditur, se unë jam këtu dhe çdo cep i Kosovës është pjesë e jona, pa marr parasysh se ku ndodhet.
Në një farë mënyre Kurti orën e ktheu mbrapa dhe i acaroi marrëdhëniet me Serbinë, edhe më shumë se ç´ishin. Kjo solli edhe deri te konfrontimi i hapur me grupin terrorist dhe paramilitarët të cilët Serbia i futi në Kosovë, për aneksimin e veriut.
Sot ndihem i lehtësuar që ato plane nuk u realizuan dhe për këtë meritat i kanë Forcat e Sigurisë së Kosovës, të cilët me vigjilencë dhe përgatitje profesionale treguan përgjegjësi, në mbrojtjen e atdheut dhe pavarësisë sonë.
Me këtë rast i treguam edhe njëherë Serbisë dhe të gjithëve, se ne pavarësinë do ta mbrojmë me çdo çmim.
Për këtë merita ka edhe Kurti, i cili dhëmb për dhëmb po i kundërvihet Vuçiqit e Dacicit, të cilët edhe mua me intriga mundoheshin të ma hidhnin.
Unë i kuptoj edhe preokupimet e opozitës për ta fituar pushtetin, po në këtë rast është çështja e mbrojtjes së atdheut, prandaj do t´i kisha lutur që sa më pak rivalitet, e më shumë unitet të kenë mes vetes.
Mbes me shpresë se edhe qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare, do ndryshoi në favor të Kosovës.
Së fundi po më preokupon qëndrimi i Ramës në relacion me Kosovën, po në takimin e ardhshëm me te, do të diskutoi për këto gjëra.
Dardania mbi të gjitha, Thaçi.