Të paktën 2400 objektiva të Hamasit u goditën gjatë mbrëmjes të hënës nga forcat ajrore izraelite.
Ushtria izraelite tha se ky ishte sulmi më i madh që prej së shtunës. Në ditën e tretë të luftimeve llogariten mbi 1600 të vrarë, shumica e të cilëve rreth 900, nga radhët e izraelitëve dhe mbi 700 palestinezë dhe mbi 5 mijë të plagosur nga të dyja palët.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha se operacioni i nisur është vetëm fillimi i shkatërrimit të grupit ekstremist palestinez Hamas dhe se kundërpërgjigjja izraelite do të ndryshojë krejt Lindjen e Mesme.
“Ne e dinim gjithmonë se kush ishte Hamasi. Tani, pjesa tjetër e botës e di. Hamasi është ISIS dhe ne do të fitojmë kundër tyre pasi bota moderne mbizotëroi kundër ISIS”.
Që prej të shtunës kur u shpall gjendja e luftës, Izraeli ka grumbulluar 300 mijë rezervistë. Ministri izraelit i Mbrojtjes Joav Galant tha Rripi i Gazës është vendosur në bllokadë totale dhe i është ndërprerë elektriciteti, furnizimi me karburant dhe ushqime.
Ndërsa lideri i grupit të Hamasit, që ka zënë afër 150 pengje gjatë sulmit më 7 Tetor, kërcënoi të hënën se do t’i vrasë ata nëse Izraeli vazhdon të kryejë sulme ajrore në Gaza, pa paralajmëruar banorët që të largohen nga caqet.
Pranë brigjeve izraelite është afruar edhe aeroplanmbajtësja amerikane Xherald Ford në përmbushje të premtimit të Presidentit Joe Biden për të mbështetur Izraelin. Ndërsa presidenti iranian Ibrahim Raisi shprehu mbështetje të plotë për Hamasin, ndonëse theksoi se Irani nuk ka plane për t’u përfshirë ushtarakisht në konflikt.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dënoi sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, por tha se është “thellësisht i shqetësuar” me rrethimin e plotë që Izraeli i ka bërë Rripit të Gazës.
Ndërsa situata e krijuar në Lindjen e Mesme do të diskutohet mes Presidentit amerikan Joe Biden, Presidentit francez Emmanuel Macron, Kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe Kryeministrit britanik Rishi Sunak.
Sakaq Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan bëri të ditur se është i gatshëm të ndërmjetësojë mes Izraelit dhe Palestinës për lirimin e të burgosurve nga të dyja palët.