BotaLajme

Pa energji, ushqim dhe ujë, Rripi i Gazës pranë krizës humanitare

Rripi i Gazës mund të jetë në prag të një krize të re humanitare nëse furnizimet nuk lejohen, thonë autoritetet, ndërsa Izraeli i përgjigjet sulmeve të Hamasit. Të hënën, Izraeli shpalli një “rrethim të plotë” në territor, duke thënë se energjia elektrike, ushqimi, karburanti dhe uji do të ndërpriten.

Sipas banorëve, ndihma nuk ka arritur në enklavë që nga e shtuna. Pamjet e publikuara nga mediat tregojnë rrugë të shkreta të mbuluara me rrënoja nga ndërtesat e shembura pas sulmeve ajrore izraelite.

700 njerëz kanë vdekur në këto sulme dhe mijëra të tjerë raportohet se janë plagosur.

Zona është shtëpia e rreth 2.3 milionë banorëve, 80% e të cilëve mbështeten në ndihma humanitare kryesisht për shkak të armiqësive të vazhdueshme me Izraelin.

Zona drejtohet nga militantët e Hamasit, por Izraeli kontrollon hapësirën ajrore dhe vijën e saj bregdetare. Ai gjithashtu kufizon se kush dhe çfarë mallrash mund të kalojnë kufijtë e tij.

Egjipti fqinj kontrollon rreptësisht se çfarë ose kush mund të kalojë edhe përmes kufirit të tij me Gazën.

Që nga fillimi i sulmeve të shtunën në mëngjes, Izraeli ka ndaluar të gjitha furnizimet që hyjnë në Gaza, përfshirë ushqimin dhe ilaçet.

Stéphane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, tha se dhjetëra punonjës të kujdesit shëndetësor ishin vrarë ose plagosur dhe të paktën shtatë qendra mjekësore ishin dëmtuar.

Ministria palestineze e shëndetësisë në Gaza ka bërë thirrje për hapjen e një “korridori të sigurt për të siguruar hyrjen e ndihmës mjekësore urgjente” në spitalet e territorit, të cilët tani janë të mbingarkuar me të vdekur dhe të plagosur.

Ndërkohë, shumë njerëz aktualisht janë pa energji elektrike dhe internet, dhe së shpejti mund të jenë pa furnizime thelbësore me ushqim dhe ujë.

“Dëmtimi i objekteve të ujit, kanalizimeve dhe higjienës ka dëmtuar shërbimet për më shumë se 400,000 njerëz,” tha Dujarric.

Termocentrali i Gazës është tani i vetmi burim i energjisë elektrike dhe mund të mbarojë karburant brenda disa ditësh.

Ai shtoi se Programi Botëror i Ushqimit tashmë po shpërndan ushqim për deri në 100,000 palestinezë të zhvendosur brenda vendit dhe se këto përpjekje do të rriten tetëfish në ditët në vijim.

Edhe para kufizimeve të fundit, banorët e Gazës tashmë përballeshin me pasiguri të gjerë ushqimore, kufizime në lëvizje dhe mungesë uji.

Show More

Related Articles

Back to top button