Me rastin e festës së Kurban Bajramit, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, reisul-ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai ka dërguar mesazhin e tij tradicional.
“Po e përjetojmë Festën e madhe të Kurban Bajramit, Festë të cilën ne muslimanët e përjetojmë me shpirtë e zemër, sepse Kurban Bajrami na ripërkujton shumë ngjarje të historisë islame, e një ndër ta është edhe përfundimi i Shpalljes së Kur’anit Famëlartë, me të cilin njëherë e përgjithmonë u vendosën themelet e individit, familjes dhe shoqërisë së shëndoshë”, tha Fetai.
Ai theksoi se në këto ditë feste të Kurban Bajramit besimtari në praktikë deshmon besimin e tij, duke ndarë nga pasuria tij për të prerë kurbanin e tij, si një përkushtim ndaj Krijuesit, si një simbolikë e gatishmërisë së Ibrahimit a.s. për të sakrifikuar birin e tij Ismailin, për çuar në vend premtimin e dhënë Allahut Fuqiplotë, veprim ky i cili përfundoi me ndihmën e Zotit duke dërguar një kafshë për ta flijuar, në vend të Ismailit.
“Njeriu është krijesa më e shtrenjtë, ndërsa angazhimi për të është vlera më e madhe e njeriut dhe jetës së tij. Andaj, kjo festë është rezultat i gëzimit për formimn e një ambienti të flijimit të më të shtrenjtës nga e cila buron dashuria ndaj Zotit, përkushtimi ndaj njerëzores, humanes, morales, paqes, e dinjtetit. Ndërkaq, varfëria, skamja, diskriminimi, mbytja, lufta janë veset më të shëmtuara që mund t’i ndodhin njerëzimit. Të gjitha këto vijnë nga ramja e vetëdijes për të flijuar më të shtrenjtën për Zotin e për të mirën e njeriut”, shtoi Fetai.
Të kryesh urdhërin e Zotit, shtoi Fetahu, duke prerë kurbanin tënd, do të thotë përgatitje e lartë për t’u vënë në shërbim për tjetrin për një jetë pa keqpërdorime, vjedhje, korrupcion, amoralitet, destruktivitet dhe për të qenë personalitet dinjitoz për të bartë emanetin e shenjtë në familje dhe shoqëri me përgjegjësi dhe sakrificë të mundit, dijes, dhe nderit.
“Në këtë ditë të madhe të Festës së Kurban Bajramit nga thellsia zemrës dhe shpirtit, në emër të BFI e RMV dhe në emrin tim personal të gjithë besimtarëve në vend dhe jashtë vendit kudo që jetojnë dhe veprojnë, u shpreh urimet tona duke iu lutur Allahut Fuqiplotë t’i pranojë lutjet tona, kurbanët tonë, haxhin nga haxhilerët që janë duke e kryer si dhe të gjitha ibadetet tona të bëra gjatë këtyre ditëve të bekuara. Le të jetë kjo festë e gëzimit tonë, respektit ndaj njëri tjetrit, afrimit me të tjerët, shtim i gëzimit dhe kënaqësisë te skamnorët, te ata që kanë vështirësitë e jetës, faljes, paqes e solidaritetit, dhe i afrimit të kënaqësia e Allahut Fuqiplotë”, përfundoi urimi i Fetait.
Ndërkohë, namazi i sabahut do të falet në orën 04:32, kurse namazi i Kurban Bajramit në orën 05:57.