Qeveria kosovare konfirmoi zyrtarisht pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në takimin e Procesit të Berlinit që zhvillohet në Tiranë më 16 Tetor. Për organizimin e këtij eventi në Tiranë, në fillim të muajit Korrik, kryeministri shqiptar Edi Rama kishte nisur një tur ballkanik, por në Prishtinë nuk u prit nga Albin Kurti.
Kurti nuk e priti homologun nga Tirana për shkak se Rama kishte anuluar mbledhjen e dy qeverive e planifikuar në Gjakovë më 14 Qershor. Kreu i qeverisë shqiptare e kishte dërguar në Berlin, Paris e Washington draft-statutin për bashkësinë e komunave me shumicë serbe pa e konsultuar më parë me Albin Kurtin.
Në lidhje me këtë, Kurti kishte thënë se Rama duhet t’ia dorëzonte propozimin e tij presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në takimet e tyre të Ballkanit të Hapur. Kjo është e vështirë që të ndodhë në Tiranë, kur Serbinë këtë radhë do ta përfaqësojë kryeministrja Ana Brnabiç.
Takimin me Ramën për Procesin e Berlinit, Kurti e kishte kushtëzuar me mbledhjen e qeverive, por tani ka ndërruar mendje, siç ka ndodhur edhe në raste të kaluara. Së fundmi dy liderët shqiptarë u panë të qeshur pranë njeri-tjetrit në Forumin Strategjik të Bled-t, në Slloveni me 28 Gusht.
Samiti i Procesit të Berlinit mbahet më 16 Tetor dhe për herë të parë në Tiranë. Pjesëmarrës në këtë samit do të jetë edhe kancelari Olaf Scholz, presidenti i Francës Emmanuel Macron, si edhe presidentja e Komisionit Europian, Urusula von der Leyen.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e gjashtë vendeve në Bashkimin Europian. Ai filloi dhe u prezantua në 28 Gusht 2014, nga kancelarja gjermane Angela Merkel.