Ky fëmijë i lënë i vetëm në rrugë është një ndër 18 700 lypsarë të cilët janë të shpërndarë nëpër rrugët e vendit tonë. Vetëm në qytetin e Shkupit janë mbi 2000 të tillë të cilët sipas kryetarit te Organizatës “Ndërtojmë Ardhmërinë” janë të organizuar dhe keqpërdoren nga tutorët të cilët përfitojnë 3000 denarë në ditë nga një lypsar ndërsa nga vetëm 2000 lypsarë të Shkupit përfitojnë mbi 6 milionë denarë në bazë ditore.
“Për fat të keq fëmijët nga këto fitime ditore dhe këto shuma milionëshe të cilat dikush i grumbullon dhe ua merr, fëmijët marrin nga 10, 30 apo 50 denarë ku të njëjtën ma kanë konfirmuar fëmijët dhe e tregojnë me frikë”, tha Ilija Jovanoviq – kryetar i shoqatës “Ndërtojmë Ardhmërinë”.
Sipas kryetarit të Shoqatës “Ndërtojmë Ardhmërinë” këto fëmijë keqpërdorën edhe për shërbime seksuale dhe shërbime të tjera përderisa tutorët e tyre bëjnë jetë luksoze.
“Kjo është një mafie e organizuar dhe në nivel vjetor fitojnë 14 milionë euro, nuk e dimë ku përfundojnë këto para, por kam informacion që ata organizatorë bëjnë jetë luksoze”, theksoi Ilija Jovanoviq – kryetar i shoqatës “ndërtojmë ardhmërinë”.
Ministrja e Punës dhe Politikes Sociale Jovanka Trençevska thotë se në muajt e ardhshëm do të angazhohen edhe më shumë rreth kësaj çështjeje dhe ekipet janë në terren për të zvogëluar këtë dukuri.
“Besoj se ekipet e ndërhyrjes janë vazhdimisht në terren, është një fenomen që nuk mund ta ulim brenda një ditë, por reduktojmë praninë e fëmijëve në rrugë të paktën në kryqëzime dhe sigurisht para se te fillojë dimri do të punojmë më shumë e sidomos në vendet që janë më të frekuentuar dhe janë fëmijët në rrugë”, u shpreh Jovanka Trençevska – ministrja e Punës dhe Politikës Sociale.
18 700 fëmijët në rrugë sipas shoqatës “Ndërtojmë Ardhmërinë” janë të moshave të ndryshme dhe të njëjtit nuk ndjekin procesin edukativo-arsimor pasi shumica prej tyre nuk janë të evidentuar si shtetas të vendit tonë. Sipas të dhënave të kësaj organizate tre fëmijë lypsar kanë humbur jetën nga konsumimi i substancave narkotike./ Alsat.mk