LajmeMaqedoni

Kompania anonime nga Qipro me ofertë për blerjen e gjigantit metalurgjik “Euronikel Industri”

Një kompani në Qipro po shqyrton mundësinë e blerjes së  shkritores së nikelit dhe metaleve të tjera me ngjyra “Euronikel Industri” (ish-FENI) në Kavadarc të Maqedonisë së Veriut, e cila po përballet me vështirësi financiare pavarësisht borxheve të saj ndaj një banke vendase të madhe, raporton televizioni Bloomberg Adria.

Bëhet fjalë për kompaninë qipriote, “K.A.D Management Services”, që aktualisht po punon me “Euronikel Industri”.  Oferta për blerje është konfidenciale, që përfshin blerjen e tërë kompanisë, përfshirë edhe borxhet e saj.

Ky gjigant industrial po përballet me krizë në tregun e vështirë, për shkak të konkurrencës nga prodhues aziatikë të çelikut, që përdorin një nikël më të lirë, por më të ulët në cilësi, që vjen nga Indonezia.

“Euronikel Industri” po vuan për të siguruar fonde, duke rrezikuar mbi 2,000 vende pune, përfshirë 850 punonjës dhe familjet e tyre. Në të kaluarën, punonjësit janë bërë të njohur me protesta për pagesat e vonuara të pushimeve vjetore dhe pagat.

“Bloomberg Adriatic” ka kontaktuar “K.A.D Management”, por ata nuk kanë mohuar informacionin, duke deklaruar politikën e tyre të mos-komentimit të spekulimeve. Ata po i vlerësojnë mundësitë, duke përfshirë teknologjinë e tyre të veçantë për prodhimin e nikel sulfatit.

Pronari aktual, fondi zviceran “GSOL”, është ballafaquar me sfida të shkaktuara nga kriza e energjisë dhe rritja e çmimeve të feronikelit.

“Euronikel Industri” në vitin 2022 renditej në vendin e 15-të ndër kompanitë më të mëdha të Maqedonisë së Veriut, duke kontribuar me 3% në GDP-në kombëtare. Fabrika gjithashtu përballet me vështirësi në shërbimin e obligimeve financiare, veçanërisht faturave për energjinë elektrike.  Ish-kombinati i Kavadarcit “Feni”, një konsumator i madh i energjisë, është përballur me vështirësi kur çmimet e energjisë janë rritur në mënyrë drastike.
Kompania K.A.D në Qipro, specializohet në menaxhimin financiar dhe ofron shërbime këshillimore teknike për klientët industrialë në të gjithë botën, duke fokusuar në burimet natyrore dhe sektorin e metalurgjisë

Show More

Related Articles

Back to top button