LajmeMaqedoni

Ministri Besimi do të marrë pjesë në takimet vjetore të FMN-së dhe BB-së

Ministri i Financave, Fatmir Besimi së bashku me guvernatoren e Bankës Popullore Anita Angellovska-Bezhoska nga sot do të marrin pjesë në Takimet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, që sivjet mbahen në Marrakesh, Marok. Në fokusin e takimeve të këtij viti janë reagimet ndaj sfidave të ndryshimeve klimatike, tranzicionit energjetik, por edhe më shumë rezistencë dhe gatishmëri ndaj pandemive.

Në kuadër të takimeve vjetore, ministri Besimi do të takohet me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore dhe FMN-së, si dhe institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare. Sipas fokusit të këtij viti të takimeve vjetore, në këto takime ministri Besimi do t’i prezantojë synimet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, që i referohen rritjes së qëndrueshme ekonomike ekologjike, investimeve në projektet dhe politikat e gjelbra që ndërmerren për realizimin e këtij përcaktimi, si dhe për implementimin e projekteve të gjelbra.

Ministri Besimi në Marrakesh do të takohet me nënkryetaren e Bankës Botërore, Antonella Bassani, drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore, Koen Davidse, drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqin Yu, si dhe me zyrtarët e lartë të FMN-së, zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së, Bo Li, drejtorin ekzekutiv të FMN-së Paul Hilbers, drejtorin ekzekutiv alternativ Luc Dresse dhe drejtorin e FMN-së për Evropën, Alfred Kamer.

Po ashtu, parashihen edhe takime me përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare që janë përkrahës të vendit tonë në realizimin e projekteve infrastrukturore dhe institucioneve që mund të përkrahin zhvillimin e gjelbër.

Ndër takimet e planifikuara janë edhe atë me zëvendëskryetarin e parë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Jurgen Rigterink, zëvendëskryetarin rajonal në Korporatën Financiare Ndërkombëtare – IFC, Alfonso Garcia Mora, si dhe takime me Agjencinë Ndërkombëtare të Zhvillimit – IDA.

Takimet vjetore, ku marrin pjesë ministrat e financave, guvernatorët, përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, shoqërisë civile, akademikë etj, ofrojnë mundësi për të hapur dialog për çështje me interes global. Takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore mbahen çdo vit në muajin tetor, ndërsa takimet vjetore në Marrakesh janë nga data 9 deri më 15 të këtij muaji.

Show More

Related Articles

Back to top button