LajmeRajon

Rama i ashpër me Kosovën: Vetëdobësimi diplomatik, vështirësi për ne

Kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se pozicioni “i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë” e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian po ia bëjnë të vështirë vendit të tij përpjekjet për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës. Në seancën e Kuvendi lidhur me rezolutën për Kosovën, Rama tha se “viktimizimi diplomatik i Serbisë falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut”, po ashtu po ndikon në përpjekjet e Shqipërisë.

Rama i bëri thirrje Kosovës të mos e humbasë “shansin historik” për t’u ulur në tavolinën e negociatave me planin franko-gjerman, si dhe ta formojë Asociacionin i cili, sipas tij, është kthyer në “litar që po ia shtrëngon këmbët Kosovës.” Ai përsëriti edhe një herë se KFOR-i duhet të marrë kontrollin e veriut ndërsa Kosova të formojë Asociacionin.

“E kam thënë së samitin e NATO, mbi domosdoshmërinë marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR. Fokusimi tek suksesi dhe jo dështimi i plantit franko gjerman dhe dhënies drejtim të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk duhet mbajtur një litar në këmbë që veç e pengon Kosovën në rrugën e saj dhe veç e largon objektin për tu bërë pjesë e OKB, NATO dhe BE. Ai litar duhet këputur një orë e më parë. Nuk duhet shkencë, duhet logjikë të ftohtë, për të kuptuar se ai as duke mos u bërë është kthyer në një litar”, deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Nga ana tjetër ish kryeministri shqiptar Sali Berisha akuzoi Ramën se bashkë me Vuçiqin duan ndarjen e Kosovës

Këto komente Rama e Berisha i bënë debatit për miratimin e rezolutës për Kosovën në të cilën thuhet se “Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht dhe njëzëri rezolutën e miratuar më 28 shtator në Kuvendin e Kosovës.” Gjithashtu, sipas saj, Kuvendi kërkon nga institucionet kushtetuese të Shqipërisë “që në të gjitha instancat ndërkombëtare dhe në kontaktet bilateral me partnerët të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës”. Rezoluta inkurajon Qeverinë e Kosovës që të “punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva” me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj. 

Show More

Related Articles

Back to top button