Ushtria izraelite u ka bërë thirrje të gjithëve që jetojnë në veri të Qytetit të Gazës të zhvendosen në jug të Rripit të Gazës brenda 24 orëve. Izraeli ka disa ditë që po e përgatit një ofensivë tokësore, pasi ka mbledhur ushtarë, artileri të rëndë dhe tanke në kufirin me Gazën.
“Forcat izraelite të mbrojtjes ka ndërmarr një hap për të minimizuar viktimat civile. Do të doja të lexoja, fjalë për fjalë, porosinë në arabisht që ne i dërgojmë popullatës vendase në qytetin e Gazës, duke i informuar ata për nevojën e evakuimit nga vendi ku ndodhen. Ky është mesazhi, “Bëjmë thirrje për evakuimin e të gjithë civilëve nga qyteti i Gazës, nga shtëpitë e tyre në drejtim të jugut për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre”, tha Xhonathan Konricus, Forcat izraelite mbrojtëse.
Organizata e Kombeve të Bashkuara kërkoi që urdhri për evakuimin e 1,1 milionë banorëve nga veriu i Gazës të anulohet. Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarriq, tha se është e pamundur që një zhvendosje e tillë të bëhet pa pasoja të tmerrshme humanitare.
”Zyrtarët e OKB-së në Gaza u informuan nga oficerët e tyre ndërlidhës ushtarakë izraelitë se e gjithë popullata në veri të Gazës duhej të zhvendosej drejt jug brenda 24 orëve. Një evakuim i këtyre përmasave është i pamundur pa shkaktuar pasoja shkatërruese humanitare”, theksoi Dujarriq.
Ndërkohë Hamasi u ka bërë thirrje palestinezëve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe mos t’i binden urdhrit të Izraelit për evakuim.
Agjencitë humanitare kanë paralajmëruar se Gaza po përballet me gjendje të jashtëzakonshme, pasi ushqimi dhe uji po mbarojnë. OKB-ja ka nisur një apel urgjent për donacione për të përmbushur nevojat e banorëve më të rrezikuar të Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës, ku më shumë se 400 000 palestinezë janë larguar nga shtëpitë e tyre ditët e fundit dhe rreth 50 000 gra shtatzëna nuk kanë më akses në kujdes. Më shumë se 1.400 njerëz janë vrarë në Gaza qëkur Izraeli i nisi bombardimet hakmarrëse, sipas zyrtarëve palestinezë. Gaza është plotësisht e rrethuar dhe e bllokuar nga Izraeli, i cili ka thënë se rrethimi nuk do të përfundojë derisa Hamasi t’i lirojë të gjitha pengjet. Hamasi i mori 150 pengje dhe i dërgoi në Gaza gjatë sulmeve të fundjavës në Izrael, ku militantët e tij i vranë 1.300 njerëz.