BotaLajme

30 vjet marrëdhënie diplomatike RMV-Kinë, një bashkëpunim ekonomik gjithnjë në rritje

Sivjet është 30 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Maqedonisë (së Veriut) dhe Republikës Popullore të Kinës.

Ishte vjeshtë e vitit 1993, pra 2 vite pas pavarësisë së Maqedonisë, kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve, gjë i hapi rrugë një komunikimi e bashkëpunimi të gjerë.

Nga atëherë e deri më tani RP e Kinës është një nga përkrahësit kryesor të pavarësisë dhe identitetit maqedonas. Krahas kësaj, bashkëpunimi tregatr e ekonomik ka qenë vazhdimisht në rritje. Vlera e përgjithshme e mallrave të eksportuara nga Maqedonia e Veriut në periudhën janar-tetor 2022 ka qenë 6 931 984 euro, që paraqet rritje prej 21,3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

“Shkëmbimet ekonomike dhe tregtare vazhdojnë të zgjerohen, ku vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në 1.052 miliardë dollarë në vitin 2022, dhjetëra herë më shumë se kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike”, tregon ambasadori kinez në Shkup, Zhang Zuo.

Eksporti i verës maqedonase në Kinë po rritet ngadalë në vitet e fundit, por është ende në një nivel mjaft të ulët. Sipas të dhënave të Entit të Statistikave, Kina është tregu i gjashtë për nga madhësia e eksportit të verës maqedonase. Krahas ekonomisë, nuk mungon as shkëmbimi kukturor e turistik. Në vitin 2020, “Lonely Planet”, udhërrëfyesi më i madh privat i udhëtimit në botë, e vendosi Maqedoninë si një nga “10 destinacionet më të mira turistike në botë” dhe ky raport u bë viral në Kinë.

“Shpresojmë që Maqedonia e Veriut do të ofrojë lehtësim dhe siguri më të madhe për turistët kinezë. Sivjet është rinovuar shkëmbimi dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme si biznesi, shkenca, letërsia, arti, turizmi, think-tanks dhe media mes dy vendeve”, thotë ambasadori Zuo.

Kina e ka konsideruar historikisht Maqedoninë e Veriut një vend të rëndësishëm për përpjekjet e saj zhvillimore jashtë shtetit dhe ka ofruar një sasi të pamatë ndihme zhvillimore për vendin që nga pavarësia e tij. Bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe Maqedonisë gjatë pandemisë i dha konotacione të reja marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve. Gjatë vitit të parë të pandemisë COVID-19, Kina ofroi ndihmë në lidhje me shëndetin, si dhe tableta (smart) për fëmijët që të vazhdonin shkollimin në internet gjatë periudhave të bllokimit.

Marrëdhënia mes Maqedonisë dhe Kinës u zgjerua kur Iniciativa e bashkëpunimit Kinë – Vendet e Evropës Qendrore e Lindore intensifikoi projektet e saj. Bashkëpunimi Kinë-EQL po krijon bazat për intensifikimin e marrëdhënieve në të ardhmen mbi bazën e njohjes reciproke. Nisma “Një Brez, Një Rruge” ka krijuar sinergji me platformën e bashkëpunimit Kinë-EQL, duke krijuar më shumë hapësirë për bashkëpunimin e ndërsjellë midis Kinës dhe vendeve europiane. Sot Maqedonia e Veriut, bashkë me 15 vende të Europës Qendrore e Lindore është pjesë e strategjisë më të madhe kineze ndaj këtij rajoni që zbatohet përmes Mekanizmit të bashkëpunimit Kinë – Vendet e Evropës Qendrore e Juglindore. Shkalla e investimeve të dyanshme midis Kinës dhe BE-së ka tejkaluar 270 miliardë dollarë amerikanë.

Show More

Related Articles

Back to top button