Një pikë kufitare e kontrolluar nga Egjipti në Gaza pritet të rihapet mes përpjekjeve diplomatike për të marrë ndihma në enklavën që ka qenë nën bombardime intensive izraelite që nga sulmi i Hamasit.
Izraeli po kryen bombardimet më intensive ndonjëherë në Gaza, duke vendosur një bllokadë të rreptë teksa po përgatit një pushtim tokësor, raportoi Reuters.
“Rafah do të rihapet. Ne po krijojmë me Kombet e Bashkuara, me Egjiptin, me Izraelin, me të tjerët, një mekanizëm me anë të të cilit do të marrim ndihmën dhe do t’ua dërgojmë njerëzve që kanë nevojë për të”, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken të dielën.
Blinken nuk ka treguar një kohë specifike për rihapjen e kalimit.
Presidenti i SHBA Joe Biden i ka kërkuar Izraelit të ndjekë ligjet e luftës në përgjigjen e tij ndaj sulmeve të Hamasit, dhe të dielën përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se shumica dërrmuese e palestinezëve nuk kanë asnjë lidhje me sulmet e tmerrshme të Hamasit dhe po vuajnë si rezultat i tyre.
Në një intervistë për “CBS 60 Minutes”, Bideni ka shtuar se Izraeli ka nevojë ta eliminojë Hamasin, por paralajmëroi se do të ishte gabim që të pushtohej Gaza.
NBC News, duke cituar një zyrtar palestinez, raportoi se kalimi kufitar Rafah do të hapej në orën 9 të mëngjesit të hënën dhe do të jetë i hapur për disa orë.
Autoritetet në Gaza kanë thënë se të paktën 2,670 njerëz janë vrarë deri më tani nga sulmet hakmarrëse të Izraelit, një e katërta prej tyre fëmijë dhe rreth 10,000 të plagosur. Rreth 1000 persona të tjerë janë raportuar të zhdukur dhe besohet se kanë ngecur nën rrënoja.