BotaLajme

Dita Botërore e Ushqimit

Dita Botërore e Ushqimit kremtohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) çdo vit në datën 16 tetor (datë kur u krijua FAO në 1945).

Kjo ditë organizohet që prej 1981-shit dhe synon të sensibilizojë politikëbërësit mbi rëndësinë e ushqimit dhe rolin e tij në shëndetin dhe mirëqenien e individit dhe zhvillimin e mbarë kombeve.

Çdo vit, tema është e ndryshme, por gjithnjë ka për qëllim të sensibilizojë në drejtim të përmbushjes së Objektivave të Mijëvjeçarit për zhdukjen e urisë dhe varfërisë, si dhe uljen e vdekshmërisë dhe përmirësimin e shëndetit mes fëmijëve.

Njihet botërisht roli i ushqyerjes në shëndetin e individit gjatë gjithë ciklit të jetës, duke filluar nga periudha e parakonceptimit të fëmijës e deri në pleqëri. Sa më herët të fillohet zbatimi i praktikave të rekomanduara të ushqyerjes, aq më i shëndetshëm do të jetë individi gjatë gjithë jetës.

Ushqyerja e ekuilibruar dhe e përshtatshme e kombinuar me aktivitet fizik të rregullt, janë guri i themelit për një shëndet të mirë dhe njëherësh mjete shumë efikase për parandalimin e shumë sëmundjeve dhe për trajtimin e disa të tjerave.

Sigurimi i një ushqyerje të shëndetshme dhe të sigurt gjatë viteve të para të jetës ka përfitime për gjithë jetën. Kequshqyerja ndodh kur trupi nuk merr sasinë e nevojshme të energjisë (kalorive), proteinave, karbohidrateve, yndyrave, vitaminave, mineraleve dhe lëndëve të tjera të nevojshme për të mbajtur të shëndetshëm organizmin dhe për funksionimin e mirë të tij.

Kequshqyerja tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël është një faktor kyç themelor jo vetëm për vdekshmërinë foshnjore dhe femërore, por ndikon edhe tek zhvillimi fizik dhe mendor në moshë shumë të re.

Show More

Related Articles

Back to top button