Futbolli spanjoll ka pësuar një tronditje të madhe pas vdekjes së 18-vjeçarit Alvaro Prieto, një lojtar i ri i Kordobës.
Futbollisti, i cili u zhduk të enjten e 12 tetorit pasi mori pjesë në një festë në Sevilje, u gjet i pajetë në stacionin Santa Justa. Sipas asaj që rezultoi, trupi i 18-vjeçarit u gjet mes dy vagonave të një treni që ishte jashtë funksionit që prej muajit gusht dhe po kryente sot një test funksionimi pa pasagjerë.
Vetë skuadra e Cordobas njoftoi vdekjen e lojtarit dhe shprehu ngushëllimet për familjen e të riut.
“Ngushëllimet tona më të thella për familjen, ata kanë mbështetjen tonë të pakushtëzuar. Faleminderit që jeni pranë nesh në këtë moment të vështirë”, thuhet në njoftimin e klubit.
Trupi i pajetë i lojtarit është vënë re nga një reporter i televizionit “Espanola” i cili po realizonte një raport për zhdukjen e 18-vjeçarit. Në mes të vagonëve u vunë re këmbët e lojtarit dhe nga aty u ngrit alarmi.
Prieto, mësohet se kishte veshur ende pantallona dhe këmishë jeshile me të cilën ishte parë për herë të fundit më 12 tetor.