LajmeMaqedoni

Izet Mexhiti hesht për skandalin 16 milionë euro të komunës së Çairit

Ish-kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti së fundmi në një paraqitje televizive është pyetur nëse janë legalizuar ndërtimet e reja pa leje në Çair me numrat e vjetër të arkivor. Mirëpo Mexhiti jo vetëm që nuk jep përgjigje konkrete, por nuk e mohon se me numrat arkivor të legalizimeve pa leje janë bërë “dallavere” nga ai dhe tajfa për rreth tij në Komunën e Çairit.

“Sa i përket ndërtimeve pa leje, në nivel të Republikës së Maqedonisë janë mbi 500 mijë dhe nëse i shtohet numri i banorëve, atëherë del se çdo familje është e përfshirë në ndërtime pa leje. Ndërtimet pa leje kanë qenë edhe në kohën kur kanë qenë në kompetencë të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, jo të komunave dhe më pas kanë vazhduar. Në fakt po ju sqaroj se për këtë është miratuar disa herë ligj legalizimi në nivel të Maqedonisë. Nëse nuk do të kishte ndërtime pa leje nga Strumicë në Strugë, nuk do të kishte nevojë të miratohej ligji për legalizim. Qytetarët e Çairit nuk bënë asgjë më shumë se çfarë bënë në nivel të Shkupit dhe në nivel të Maqedonisë…”, ka deklaruar Mexhiti mes tjerash në intervistë për emisionin “360°”.

Ish-kryetari i Çairit, Izet Mexhiti në kohën e të cilit kanë “lulëzuar” objektet pa leje në Shkupin e vjetër dhe është katandisur projeksioni urbanistik i kësaj lagje të vjetër të Shkupit, është pyetur edhe për skandalin e prej 16 milionë euro të Komunës së Çairit, ku pronari i njëjtë me dy kompani të ndryshme ka qenë preferencë për të marrë prokurimet publike të kësaj komune.

Mexhiti edhe pse tentoi ti ikë përgjigjes për këtë çështje gazetari ri-përsëriti pyetjen: Më përgjigjeni për dy kompanitë – “Energoinvest Trade” dhe “Bauer BG” të cilat kanë të njëjtin pronar, dhe për të cilat u shfaq informacioni se si në mandatin tuaj ashtu edhe tani, janë lidhur kontrata të shumta për një shumë të madhe për një buxhetit komunal?

“Më defokusove … Për tenderin 16 milionë euro i referohet sheshit “Skënderbej” mbi 15 vjet, mjete të Qeverisë së Maqedonisë, dhe janë lëshuar në buxhetin e dedikuar për një projekt të caktuar. Sa i përket kompanive…, janë kompani me kapacitete serioze. Sa i përket komunës, mendoj se kam qenë mjaft, tre mandate dhe nuk kam bërë asnjë krim në këto 20 vite si kryetar”, tha mes tjerash ai.

Show More

Related Articles

Back to top button