Si Hamasi, ashtu edhe Izraeli janë duke kryer krime lufte në konfliktin aktual, thotë për Radion Evropa e Lirë Kenneth Roth, ish-drejtor ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch.
Sipas tij, të dyja palët po luftojnë pa respektuar siç duhet parimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Roth thotë se Izraeli ka të drejtë t’iu përgjigjet “mizorive të tmerrshme” të Hamasit, por se kjo “nuk ia jep lirinë të bëjë çfarë të dojë”.
Ai kritikon rrethimin e Gazës dhe moslejimin e ndihmave humanitare për njerëzit në nevojë, ndërsa i dënon sulmet e të dyja palëve në zonat civile.
“Detyra për ta respektuar ligjin ndërkombëtar humanitar, për të mos kryer krime lufte, është detyrë absolute”, thotë Roth, i cili ka shërbyer gati tri dekada në njërën prej organizatave kryesore ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në botë.
Radio Evropa e Lirë: Ka raporte për më shumë se 500 njerëz të vrarë nga një sulm në një spital në Gazë. Komenti juaj i parë?
Kenneth Roth: Në fillim u besua se ishte sulm ajror i Izraelit. Izraelitët tani e mohojnë këtë dhe thonë se ishte raketë palestineze. Nuk e dimë ende me siguri se kush është përgjegjës. Nëse ishte raketë palestineze, qartazi ishte gabim. Nëse ishte sulm ajror i Izraelit, unë vërtet shpresoj se nuk e kishte në shënjestër spitalin.
Por, ajo që mund të themi në këtë fazë, është se bëhet fjalë për humbje tragjike të jetëve dhe duhet hetuar se kush ishte përgjegjës.
Radio Evropa e Lirë: Edhe Hamasi, edhe Izraeli akuzohen për akte të paligjshme në konfliktin aktual. Si i shihni ju sjelljet e tyre deri më tani?
Kenneth Roth: Qartazi, të dyja palët po kryejnë krime lufte. Hamasi ka kryer mizori të tmerrshme, duke vrarë qindra civilë izraelitë dhe duke marrë pengje afro 200 izraelitë. Këto janë krime lufte, ashtu si edhe sulmet e tij periodike me raketa në zonat e banuara me civilë izraelitë.
Qeveria izraelite ka kryer gjithashtu krime lufte, duke qëlluar pa dallim në lagjet palestineze, duke goditur vërtet lagje të tëra në përpjekjet e saj për të ndjekur objektivat e Hamasit. Por, duke qëlluar më gjerësisht, ka sulmuar edhe ndërtesa të mëdha banimi dhe qindra familje kanë humbur shtëpitë e tyre.
Izraeli, po ashtu, e ka vendosur [Gazën] nën rrethim, duke ia bllokuar ushqimin, ujin, karburantet dhe energjinë elektrike. Kjo është një formë e ndëshkimit kolektiv të të gjithë popullatës palestineze të Gazës.
Pra, qartazi, ka krime lufte nga të dyja palët. Është e rëndësishme të theksohet se ligji ndërkombëtar humanitar nuk e shfajëson njërën palë, vetëm se pala tjetër nuk e respekton atë. Detyra për ta respektuar ligjin ndërkombëtar humanitar, për të mos kryer krime lufte, është një detyrë absolute, që nuk kushtëzohet nga sjellja reciproke e kundërshtarit.