BotaLajme

Rusia kryen sulme vdekjeprurëse në Zaporizhja

Rusia ka shënjestruar Zaporizhjën gjatë natës me disa raketa, një prej të cilave ka goditur një ndërtesë banimi në qytetin jugor ukrainas, duke vrarë dhe plagosur një numër njerëzish, thanë autoritetet lokale më 18 tetor, përderisa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dënoi sulmin dhe tha se “terrori rus duhet të humbë”.

Anatoliy Kurtev, ushtrues i detyrës së kryetarit të Zaporizhjës shkroi në Telegram se gjashtë shpërthime goditën qytetin, pasi guvernatori rajonal urdhëroi për lëshimin e alarmeve paralajmëruese për sulme ajrore.

Shpërthimi shkatërroi katin e tretë, të katërt dhe të pestë të ndërtesës së banimit, tha Ministria e Brendshme, duke shtuar se 50 banorë u evakuan.

“Raketat e terroristëve sulmuan qytetin, infrastrukturën dhe një ndërtesë banimi. Tetë banesa u shkatërruan. Ka të vrarë dhe të plagosur. Shumë njerëz janë nën rrënoja”, shkroi Zelensky në Facebook.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë thanë se të paktën tre persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur.
Alarmet për sulme ajrore janë lëshuar edhe në Dniporpetrovsk, Herson dhe Mikolajiv.

Rusia, që kur ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, vazhdimisht ka shënjestuar nga ajri qytetet ukrainase, duke vrarë dhe plagosur civilët dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën civile dhe atë të energjisë.

Ndërkaq, Moska ka pretenduar se ka zmbrapsur sulme me dronë nga Ukraina anë Krimenë e pushtuar dhe në dy rajone ruse.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat ruse kanë rrëzuar 28 dronë që sulmuan rajonet Kursk dhe Belgorod, si dhe Krimenë.

Një ditë më herët, presidenti ukrainas tha se shteti i tij ka përdorur Sistemin e raketave taktike, që njohur si ATACMS – që është i prodhimit amerikan – në sulmet që shkatërruan nëntë helikopterë ushtarakë rusë, një depo municionesh dhe një sistem të mbrojtjes ajrore.

Sulmet ukrainase të 17 tetorit goditën bazën ajrore në Berdjansk dhe në Luhansk, që aktualisht janë nën pushtimin rus.

Ndërkaq, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha më 18 tetor se luftime të ashpra po zhvillohen në qytetin Avdijvka në veri të Donjeckut. Ukraina tha se ka zmbrapsur sulme ruse në qarkun Bahmut Shahtar, në drejtim të Donjeckut.

Show More

Related Articles

Back to top button