BotaLajme

Raportohen sulme me dronë ndaj trupave amerikane në Irak

Forcat e koalicionit në Irak pësuan dëmtime të lehta pas një serie sulmesh me dronë gjatë 24 orëve të fundit kundër bazave amerikane, mes shtimit të tensioneve rajonale pas shpërthimit vdekjeprurës në një spital në Gaza.

Dy dronë vunë në shënjestër bazën ajrore al Asad në Irakun perëndimor, të përdorur nga forcat amerikane, dhe një dron goditi një bazë në Irakun verior, tha një zyrtar amerikan për Associated Press. Zyrtari amerikan foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të fliste për sulmet.

Forcat amerikane i gjurmuan të tre sulmet me dronë, duke shkatërruar dy prej dronëve dhe dëmtuar të tretin, i cili shkaktoi dëmtime të lehta mes forcave të koalicionit në bazën perëndimore, sipas një deklarate të ushtrisë amerikane.

“Në këto momente alarmate, po vëzhgojmë me vigjilencë situatën në Irak dhe rajon. Forcat amerikane do të mbrojnë forcat e koalicionit kundër çdo kërcënimi”, tha Komanda Qendrore përmes një deklarate.

Grupe të armatosura të mbështetura nga Irani kanë kërcënuar se do të sulmojnë objektet amerikane në Irak për shkak të mbështetjes së Uashingtonit për Izraelin.

Rezistenca Islamike në Irak, një organizatë ombrellë e grupeve të armatosura të mbështetura nga Irani, lëshoi një deklaratë duke marrë përgjegjësinë për dy sulmet dhe duke paralajmëruar më shumë operacione kundër pushtimit amerikan, siç u shpreh ajo./ voa

Show More

Related Articles

Back to top button