Rusia e siguroi Korenë e Veriut se do të mbështeste plotësisht politikat e saj duke i dalë krah Phenianit karshi SHBA-së, raporton Anadolu.
Duke folur me zyrtarët në një event, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov shënoi 75-vjetorin e vendosjes së lidhjeve diplomatike midis Rusisë dhe Koresë së Veriut dhe tha se mbështetja reciproke dhe solidariteti midis dy vendeve bazohet në marrëdhëniet tradicionale miqësore.
Koreja e Veriut “është një shtet i vërtetë sovran i pavarur që mbron me vendosmëri sovranitetin dhe sigurinë e tij pa iu nënshtruar asnjë presioni të SHBA-së dhe Perëndimit”, citoi Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve të thoshte Lavrov, i cili dje mbërriti në Phenian.
Ai shtoi se Moska mbështet plotësisht të gjitha politikat e qeverisë dhe popullit të Koresë së Veriut për të mbrojtur sovranitetin, zhvillimin dhe interesat e shtetit.
Lavrov në Phenian do të ketë një takim dypalësh me homologen e tij koreano-veriore Choe Son Hui dhe pritet të takohet me liderin e vendit, Kim Jong-Un.
Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Koresë së Veriut janë afruar më shumë pas një vizite zyrtare të Kim në Moskë muajin e kaluar.
Duke përshëndetur homologun e saj rus, Choe tha se popujt e të dy vendeve prej kohësh kanë qenë të bashkuar dhe bashkëpunojnë ngushtë në luftën për të arritur kauzat e përbashkëta.
“Ajo shprehu pritjet e saj gjatë kësaj vizite të ministrit të Jashtëm rus se do të arrihet një rezultat i kënaqshëm për të zgjeruar marrëdhëniet gjithëpërfshirëse dhe konstruktive dypalëshe në një nivel më të lartë, sipas marrëveshjes historike të bërë nga liderët e Koresë së Veriut dhe Rusisë”, tha agjencia.
Nga ana tjetër, Koreja e Jugut paralajmëroi se do të vendoste sanksione “të fuqishme” kundër Koresë së Veriut dhe Rusisë nëse Moska i ofron Phenianit teknologji ushtarake.
“Nëse Rusia i ofron teknologji ushtarake Koresë së Veriut, kjo tregon një kërcënim serioz për sigurinë e Koresë së Jugut. Atëherë ne nuk mund të mos kërkojmë sanksione të fuqishme kundër Rusisë dhe Koresë së Veriut me SHBA-në dhe vendet e tjera”, citoi Yonhap News me bazë në Seul të ketë thënë Ministri i Unifikimit Kim Yung-ho.
Tensioni në Gadishullin Korean është rritur pas lëshimeve të raketave të Koresë së Veriut dhe stërvitjeve ushtarake të Koresë së Jugut dhe SHBA-së.
Të enjten, Marina e Seulit filloi stërvitjen shumëkombëshe të luftës kundër minave detare që përfshin Belgjikën, Kanadanë, Zelandën e Re dhe Filipinet, në ujërat në jug të Gadishullit Korean në një përpjekje për të përmirësuar aftësitë e kombinuara operacionale.