SHBA do t’i ofrojë Izraelit ndihma ushtarake me vlerë miliarda Dollarë për të luftuar Hamasin, teksa ushtria izraelite ka rrethuar Rripin e Gazës.
Presidenti amerikan Joe Biden, në një deklaratë televizive nga Shtëpia e Bardhë, tha se Hamasi kërkon të asgjësojë demokracinë e Izraelit.
Biden do t’i kërkojë Kongresit që të miratojë fonde shtesë për Izraelin, të cilat kapin një vlerë 14 miliardë Dollarë.
“Është një investim i zgjuar për sigurinë amerikane ndër breza”, u shpreh Biden.
Ndërkohë, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi gjithashtu nevojën urgjente për t’u dërguar palestinezëve të pafajshëm në Gaza ushqime, ujë dhe ilaçe.
“Nuk mund të injorojmë humanizmin e palestinezëve të pafajshëm që duan vetëm të jetojnë në paqe”, tha President amerikan.
Ndërkohë, Izraeli duket se po përgatitet për pushtim në shkallë të gjerë të Rripit të Gazës, që sundohet nga Hamasi.
“Tani e shihni Gazën nga distanca. Së shpejti do ta shihni nga brenda. Urdhri do të vijë”, u tha ministri izraelit i Mbrojtjes trupave ushtarake në kufi.
Ushtria izraelite e ka rrethuar Gazën dhe ka goditur me sulme ajrore objektiva të Hamasit. Izraeli thotë se do ta shkatërrojë tërësisht Hamasin, që nga Perëndimi konsiderohet si organizatë terroriste.
Lufta nisi pasi Hamasi sulmoi me raketa dhe me invazion nga toka Izraelin, duke e kapur në befasi dhe duke vrarë 1400 izraelitë civilë, si dhe kanë marrë shumë pengje.