Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në një intervistë për politiko.mk, ka dhënë detaje për masat e marra nga qeveria për të përballuar situatën e vështirë ekonomike. Ai ka theksuar se qeveria është e angazhuar për të ulur inflacionin, i cili sipas raporteve të Bankës Botërore dhe Entit Statistikor të Maqedonisë së Veriut, ka pësuar një ulje dyfish në krahasim me vitin paraprak.
“Pikërisht në vazhdimësi, pothuajse që nga fillimi i pandemisë, pastaj dhe me krizën energjetike dhe tash me ballafaqimin sa i përket, përpjekjeve maksimale të qeverisë për uljen e inflacionin qeveria merr një sërë masash. Pra kemi marrë masa që kanë të bëjnë me rritjen e likuiditetit të kompanive nëpërmes ligjit për mbështetje financiare të investimeve ku përpjekjet maksimale kanë qenë që të ndihmojmë kompanitë, që të krijojmë vende të reja të punës, por njëkohësisht edhe të mos i ndalojnë investimet të cilat i kanë planifikuar gjatë kësaj periudhe, por edhe masat të cilat e tangojnë drejtpërsëdrejti qytetarin apo konsumatorin siç është ngrirja e çmimeve, ngrirja e marsheve të fitimit edhe për tregtarët me pakicë edhe me shumicë, dhe kjo jep rezultatet duke u bazuar edhe në raportet e bankës botërore por njëkohësisht edhe raportet e Entit Statistikor të Maqedonisë së Veriut ku kemi pothuajse ulje dyfish të inflacionit në krahasim me vitin paraprak edhe në pjesën e përgjithshme të inflacionit por edhe në pjesën sa u përket ushqimeve bazë”, tha Bekteshi.
Ministri Bekteshi ka pranuar se çmimet e reduktuara kanë sjell edhe mbylljen e disa marketeve, por ka thënë se qeveria duhet të mbaj bilancin në mes të interesit të biznesit dhe interesit të konsumatorit. Ai ka shtuar se qeveria do të vazhdoj ta monitoroj situatën dhe do të marr masa shtesë nëse do të jetë nevojshme.
“ Të jem sa më i saktë për qytetarët por edhe t’i njoftoj qytetarët se cilat janë detyrat edhe të sektorit privat, edhe për mbrojtjen e sektorit privat, edhe të organizatave për mbrojtjen e konsumatorëve por edhe të qeverisë në përgjithësi, e në veçanti të Ministrisë së Ekonomisë. Pra detyrë kryesore e odave të ekonomisë është të mbrojë interesin e bizneseve. Detyrë kryesore e organizatave për mbrojtjen e konsumatorëve është të mbrojë të drejtat e konsumatorëve, që konsumatorët të mos dëmtohen nga praktika të cilat nuk konsiderohen se janë të drejta në përputhje me të gjithë zinxhirin e tregtisë në Maqedoninë e Veriut dhe këtu pra është roli edhe i qeverisë, e cila në një lloj mënyre i krijon ato politika që të mbajë bilancin në mes të interesit të biznesit dhe interesit të konsumatorit. Por duhet marrë parasysh që në kohë krizash, siç është kriza globale edhe duke filluar edhe nga invazioni rus në Ukrainë ku kishte mungesë të produkteve ushqimore duhet t’i jepet më shumë rëndësi konsumatorit, me të vetmin qëllim që të mos ndikojmë negativisht në standardin jetësorë të të njëjtit, dhe kryesisht mbi 90 për qind të masave të cilat i aprovon Ministria e Ekonomisë dhe pastaj i realizon nëpërmjet instrumenteve të ndryshme kanë të bëjnë me mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve, edhe paralelisht me atë edhe rritja e pagave të cilat duhet ta mbulojnë rritjen e inflacionit dhe rritjen e çmimeve në përgjithësi”, tha Bekteshi.