Hamasi i ka liruar të hënën dy gra të moshuara izraelite të cilat po mbaheshin peng në Gaza.
Qeveria e Izraelit njoftoi të hënën vonë se Nurit Cooper, 79 vjeçe, dhe Yocheved Lifshitz, 85 vjeçe, u liruan “nga duart e organizatës terroriste, Hamas”.
Lifshitz dhe Cooper u dërguan në pikëkalimin kufitar me Egjiptin, Rafah, nga ku u morën me ambulanca, sipas pamjeve të shfaqura nga televizioni egjiptian.
Ato, bashkë me bashkëshortët e vet, u rrëmbyen nga shtëpitë e veta në qytetin afër kufirit me Gazën, Nir Oz, nga militantët e Hamasit gjatë sulmit të tërbuar të 7 tetorit. Bashkëshortët e tyre, të moshës 83 dhe 84 vjeçe, nuk janë liruar.
Raportohet se Hamasi nuk ka marrë asgjë në këmbim për lirimin e dy pengjeve, të cilat u lanë të lira pak ditë pasi Hamasi i kishte liruar një grua amerikane me të bijën. Hamasi dhe grupet e tjera militante në Gaza besohet i rrëmbyen rreth 220 njerëz, përfshirë një numër të pakonfirmuar të të huajve dhe personave me dyshtetësi.
Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin. Ndërkohë, luftëtarët e mbështetur nga Irani nëpër rajon kanë paralajmëruar për një përshkallëzim të mundshëm të luftës, përfshirë sulmimin e forcave amerikane të zhvendosura në Lindjen e Mesme, nëse Izraeli e nis ofensivën tokësore në Gazë.